Peshkatarët e Myzeqesë paralajmërojnë katastrofë mjedisore

schedule18:05 - 9 Tetor, 2018

schedule 18:05 - 9 Tetor, 2018

Emisari i Myzeqesë që përshkon mes për mes fushat e fermerëve dhe që më pas shkarkohet në Adriatik është ndotur. Aty peshqit po ngordhin kurse peshkatarët paralajmërojnë ndotje të madhe mjedisore. Prodhuesit e vajit dyshohen si një nga shkaktarët e kësaj situate të rëndë.

Në sipërfaqen e Emisarit të Myzeqesë shihen lehtësisht peshqit të ngordhur. Mungesa e oksigjenit në uje, e bllokuar nga shtresa e vajit të derdhur në sipërfaqe, si edhe mbetjet toksike kanë shkaktuar helmimin e tyre.

Peshkatarët janë të parët që paralajmërojnë katastrofën. Ata thonë se ndotja e ujit ka arritur nivelet maksimale.

“Këtu me peshk, me çdo gjë zhduket”.

Pronarët e fabrikave të vajit në Lushnje dhe Divjake,  pranojnë se nuk kanë impiant të përpunimit të ujërave që dalin nga procesi i shtypjes se bërthamave të kokrrave të ullirit.

Mbetjet grumbullohen në një gropë të madhe, të cilat më pas thithen nga autobotët dhe derdhen në Emisar. Kurse bërsite pasi thahen përdoren si lëndë djegëse ose ushqim për shpendët. I gjithë procesi kontrollohet nga pronarët e këtyre fabrikave, të cilëve u intereson vetëm nxjerrja e vajit dhe ujërat e padobishme i derdhin në natyrë.

“Ujërat, mbetjet që dalin me shumicë nga dekanteri i mbledhim nga një gropë kurse ujërat e padobishme i derdhim në përrua”.

Janë rreth 10 fabrika të vajit të ullirit në Lushnjë, të cilat shkarkojnë mbetjet në Emisarin e Myzeqesëe. Në këtë periudhë ujërat kanë ngjyrë të zezë dhe me erë të rëndë. Niveli i  ndotjes rritet gjatë rrugës edhe nga mbetjet e stallave të bagëtive, të shtrira përgjatë shtratit të tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!