Ndotja në ujërat sipërfaqësorë në qarkun e Fierit vitet e fundit është shtuar.
Dy janë faktorët kryesorë sipas Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, mbetjet e pesticideve dhe ujërat e zeza të patrajtuara që derdhen në lumenj dhe kanale kulluese.
Ndërsa një monitorim për rreth një vit të 20 zonave nga Divjaka në Fier, zbuloi sasi të lartë të amoniumit, nitrateve dhe fosfateve.
Ndotja nga pesticidet rezulton e lartë në zonat me bujqësi të zhvilluar si Divjaka. Kimikatet përfundojnë në Lagunën e Karavastasë nëpërmjet kanaleve vaditës dhe kullues. Këto ndërkohë shërbejnë për vaditjen e të mbjellave duke e kthyer procesin në një rreth vicioz ndotjeje.
Ndërkohë sasitë e larta nga mbetjet kimike dhe ujërat e zeza përfundojnë duke ndotur ujërat edhe në zona të mbrojtura si Laguna e Karavastasë.
Një nga pikat e zeza të ndotjes nga mbetjet urbane rezulton zona e njohur si “Vija e Ngjalës” në hyrje të Fierit. Ndotja këtu sipas banorëve është e dukshme me sy të lirë.
Studimi i fundit për cilësinë e ujërave sipërfaqësore përfshiu edhe ultësirën bregdetare Seman-Darëzezë ku nivelet e mbetjeve organike dhe pesticideve rezultuan më të ulëta krahasuar me zonat e njohura si “Vija e Ngjalës” dhe “Emisari i Tërbufit” në Lushnje. Ky i fundit është një ndër veprat më të mëdha hidroteknike në vend, i cili shërben për largimin dhe derdhjen e ujërave të fushës së Lushnjës dhe Divjakës drejt detit.


