Manchester City dhe PSG janë gati për duelin e radhës mes tyre. Dy ekipet do të zbresin në fushë nesër në mbrëmje (e martë, 21:00) për të tentuar kualifikimin në finalen e madhe të Champions League.
Ekipi anglez fitoi 1-2 takimin e parë gjysmëfinal dhe është favorit për të avancuar më tej. Trajneri i “Cityzens”, Pep Guardiola vlerëson kualitetin e kundërshtarëve, por ka besim maksimal te djemtë e tij.
Në konferencën e zakonshme për shtypin, Guardiola jep një koment edhe për sfidën personale me Mauricio Pochettinon. Argjentinasi drejtonte Tottenham në vitin 2019, kur londinezët eliminuan Cityn në çerekfinalet e Champions.
“PSG është një skuadër e jashtëzakonshme, të gjithë e kanë të qartë. Ata kanë potencialin për të përmbysur rezultatin, por, në të njëjtën kohë, jam i vetëdijshëm sesa mirë mund të paraqitemi ne.
Nesër duhet të zbresim në fushë me të njëjtin shpirt garë që luajtëm në Francë. Nuk është kaq e komplikuar. Sfida me Pochettinon? Askush nuk mund ta kontrollojë kaosin.
Nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë nesër. Skuadra të ndryshme dhe momente të ndryshme. Ai eliminim ndaj Tottenham i përket së kaluarës, është thjesht një kujtim për ne.
Zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer, por nuk ia dolëm të kualifikoheshim. Nesër do të tentojmë të kalojmë në finale, ka ardhur momenti t’ia dalim“, deklaroi trajneri spanjoll. /abcnews.al