Partia Socialiste ka konkretizuar nismën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Së fundmi Konferenca e Kryetarëve ka futur kërkesën e 47 deputetëve në kalendarin e punës së Kuvendit.
Ndërkohë Konferenca e Kryetarëve miratoi po ashtu programin e punës së Kuvendit për periudhën 10 maj-9 korrik 2021 dhe kalendarin e punimeve për periudhën 4-21 maj 2021. Konferenca vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat 4 maj, 6 maj, 13 maj dhe 20 maj 2021.
Kujtojmë se PS e akuzon Metën për shkelje të rënda përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore. Paralajmërimi për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit. Më pas Rama e përforcoi këtë pas zgjedhjeve duke thënë se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendim, duke nënkuptuar shkarkimin e tij nga detyra. /abcnews.al/