Kristian Panuçi vlerëson si shumë të rëndësishme ndeshjen ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve. Trajneri i kombëtares flet për problemet që po e pengojnë, dhe për kritikat që i bëhen në Shqipëri.
Humbja ndaj Skocisë e shqetësoi jo pak.
Pas një fillimi të mirë me Shqipërinë, erdhën disa disfata dhe Kristian Panuçi kuptoi sesa e vështirë është të jesh trajner i saj, diçka që do të duhet ta bëjë edhe ndaj Jordanisë dhe Izraelit. Italiani doli në konferencë për shtyp, një ditë para nisjes së grumbullimit për miqësoren dhe takimin e Ligës së Europës
“Ndeshja ndaj Izraeilt është vërtetë si një finale. Mos e keni fjalën për të ardhmen time? Jo, është shumë e rëndësishme për kombëtaren. Uroj që lojtarët të kenë dëshirën e madhe për ta fituar sepse ndaj Izraelit u përpoqëm, luftuam dhe vuajtëm, ndaj edhe fituam, ndërsa ndaj Skocisë ishin pa gjak. Dua të kuptoj për disa nga lojtarët, jo për të gjithë, sesa vlen kombëtarja”, tha ai.
Problemi kryesor për trajnerin janë mungesat.
“Unë nuk dua të justifikohem. Nëse kam faj, e pranoj. Na kanë munguar vazhdimisht lojtarë, minimalisht gjysma. Sadiku, Roshi, Grezda, Mavraj ka 9 muaj që nuk luan, Abrashi, Lila. Ne nuk jemi Brazili, nuk jemi Franca. Nëse duam të shkojmë në Europian me kaq mungesa, duhet të bëjmë diçka të veçantë”, u shpreh Panuçi.
Italianit i duken qesharake disa nga kritikat që i bëhen.
“Këtu kam dëgjuar të thuhet se trajneri nuk i bën lojtarët të qeshin. Ata qeshin, flasin, bëjnë shaka. Edhe unë kam luajtur futboll. Arrihet deri aty sa thuhet se Panuçi është një diktator. Këto lajme dalin nga disa që janë të jashtëm dhe që janë të zotë të punojnë me lojtarët”, tha Panuçi.
Ai ka edhe një vërejtje për Abazajn, që thuhet se është i pakënaqur që nuk u thirr.
“Abazaj nuk luan prej 4 muajsh, dhe i mbetet hatri që nuk thirret? Kombëtarja nuk është vend pune. Në Ligën e Europës nuk është as në 23-she, kam folur me të. Më thotë se lodhet shumë dhe nuk po ia del. Mërzitem që nuk luan”, tha Panuçi.
A vendoset e ardhmja e trajnerit nga këto ndeshje?
“Duhet të pyesni gjithnjë Dukën. Nuk di të them gjë për këtë. Unë punoj me shumë qetësi. Besoj se kam sjellë profesionalizëm dhe seriozitet. Ka nga ata që thonë se unë nxehem shumë, por unë mendoj vetëm për të mirën e kombëtares. Këtë kam mësuar në karrierën time. As nuk jam i lodhur dhe as nuk dua që të largohem. Jam shumë i lumtur”, tha ai./abcnews.al