Prej dy javësh policia e Korçës po mbledh të dhëna për bizneset. Kjo solli reagimin e kryetarit të shoqatës së biznesit Koli Firaj, sipas të cilit nuk jepet informacion për kryerjen e një veprimi të tillë. Por burime të ABC News nga policia bëjnë me dije se kjo praktikë bëhet për t’u ardhur në ndihmë bizneseve në rast të ndonjë problematike.
Verifikimi dhe mbledhja e të dhënave të bizneseve nga policia e Korçës është kontestuar nga shoqata rajonale e biznesit. Të painformuar për një procedurë të tillë që po aplikohet prej dy javësh, bizneset janë të paqartë për qëllimin dhe mënyrën si do t’i përdorë policia këto informacione. Të dhënat që kërkon policia, si adresa e biznesit, emri i pronarit dhe numri i kontaktit apo numri i të punësuarve, policia mund t’i sigurojë edhe nga insitucione të tjera, pa qenë nevoja e mbledhje së tyre në terren, argumenton kreu i shoqatës rajonale të biznesit.
Koli Firaj, kryetar i shoqates rajonale të biznesit: Policia u ka kërkuar adresën e saktë të biznesit, emrin e pronarit, numrin e pronarit dhe numrin e punonjësve, të cilat mund t’i gjejnë fare lehtë në institucionet përkatëse në degën e Tatimeve në Korçë.
Përballë një praktike, të panjohur dhe zbatuar më parë, biznesi ngre pikëpyetje për transparencën dhe ligjshmërinë e veprimeve të policisë lokale.
Koli Firaj: Ne kërkojmë shpjegim të kësaj nisme, ligjshmërinë e saj dhe transparencë, përse bëhet kjo.
Për policinë e Korçës, listimi i të gjitha bizneseve dhe vendosja e kontakteve me pronarët e tyre, është detyrë funksionale e specialistit të zonës policore. Burime të policisë lokale i thanë ABC News, se kjo praktikë synon rritjen e efektivitetit të policisë, për t’ju ardhur në ndihmë bizneseve, në rast të ndonjë problematike. Gjithashtu, policia po verifikon në terren edhe zbatimin e ligjit për masa shtesë të sigurisë publike, që detyron bizneset të pajisen me kamera sigurie. /abcnews.al

