Turqia pretendon se gazetari është vrarë në konsullatën e Arabisë Saudite

schedule22:27 - 7 Tetor, 2018

schedule 22:27 - 7 Tetor, 2018

Autoritetet e Turqisë besojnë se bashkëpunëtori i Uashington Post, Jamal Khashoggi është vrarë brenda konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Gazetari ishte një kritik i fortë i qeverisë saudite. Megjithatë Riadi mohon akuzën.

Shtohet misteri për fatin e bashkëpunëtorit të Ëashington Post, Jamal Khashoggi, pasi zyrtarët turq thanë se besonin se ai ishte vrarë. Khashoggi, një shtetas saudit, u zhduk pasi vizitoi konsullatën saudite në Stamboll të martën. Një zyrtar turk i tha televizionit BBC se hetimet fillestare treguan se ai u vra atje. Arabia Saudite ka mohuar akuzat, duke thënë se “po punon për të kërkuar” personin e zhdukur. Sipas Riadit, gazetari është larguar nga selia diplomatike në Stamboll.

Washington Post tha se do të ishte një “veprim monstruoz dhe i tmerrshëm” nëse ai është vrarë. Analistët ndërkombëtar mendojnë se kjo ngjarje do të zhysë marrëdhëniet turko-saudite në një krizë të paprecedentë. Zyrtarët turq kanë hapur një hetim dhe kanë biseduar me mediat në kushte anonimiteti. Zëvendëskryetari i Partisë në pushtet në Turqi tha për transmetuesin CNN Turk se kishte prova konkrete, sipas agjensisë së lajmeve Reuters, por asnjë provë nuk është paraqitur ende.

Jamal Khashoggi është një kritik i profilit të lartë të princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Ai ka më shumë se 1.6 milionë ndjekës të Twitter dhe ka shkruar për sektorin e opinionit të Ëashington Post. Të martën, ai shkoi në konsullatë për të marrë një dokument që vërtetonte se kishte divorcuar ish-gruan e tij, në mënyrë që të mund të martohej me të fejuaren e tij turke, Hatice Cengiz. Ajo tha se ka pritur jashtë për 11 orë, por ai nuk ka dalë. Porosia e fundit e gazetarit për të fejuaren ishte, të telefononte një këshilltar të presidentit Rexhep Tajip Erdogan nëse nuk do të kthehej nga konsullata e Arabisë Saudite. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!