Një grup demokratësh i kanë kërkuar dorëheqjen nga drejtimi i PD-së Lulzim Bashës pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit.
Një ish-drejtues i PD-së në Vlorë, që në 25 prill kandidoi me Bindjen Demokratike Ardian Kollozi kërkon hartimin e një dokumenti që bashkon të djathtën shqiptare për një ofertë të re.
Ai flet për nevojën e hartimit të një platforme, pasi sipas tij Shqipëria ka nevojë ulëritëse për një ofertë opozitare serioze.
“Tashmë fare pak ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ndjesia e parë dhe ajo që dominon besoj opinionin e të gjithë atyre që e konsiderojnë veten OPOZITAR është domosdoshmëria e riformatimit e rithemelimit e gjetjes së një mekanizmi, të një formule, të një platforme të bashkimit të së djathtës.
Një bashkim real, i plotë e i sinqertë, ku çdonjëri të marrë përgjegjësinë, të vihet në shërbim të këtij imperativi, duke kontribuar përtej interesave të vogla.
Përpara se të shpallim kandidatura, të kërkojmë zgjedhje, të kërkojmë dorëheqje, të bëjmë analiza, të cilat në fakt esaurohen me një fjali: “Nuk ishim bashkë e nuk funksionojmë demokratikisht!”
Shqipëria, shqiptarët, vendi, ka nevojë ulëritëse për një ofertë opozitare serioze, që të japë garancitë se do të reduktojë dëmin, t’i shkurtojë ditët kësaj mazhorance në këtë mandat të tretë dhe të japë mesazhin e shpresës shqiptarëve se kjo shoqëri e ka potencialin, forcën për të tejkaluar shpejt këtë moment!
Eksperienca botërore, ka plot shembuj të ngjashëm, ku objektiva të tilla janë realizuar me sukses.
Në mënyrë instiktive, e nisur nga vullneti i mirë që buron nga përgjegjësia dhe shqëtësimi i të gjithëve neve që aderojmë djathtas, propozoj që një grup personalitetesh të bëhen bashkë, të hartojnë një platformë a promemorie, quheni si të doni, por që në fund ajo do të quhet: DOKUMENTI QË BASHKON
Të djathtën! Shpejt më vijnë në mend këto emra: Ridvan Bode, Arben Imami, Dashamir Shehi, Besnik Mustafaj, Majlinda Bregu, por edhe të tjerë, mund t’i bashkohen këtij grupi për ta bërë sa më të plotë, gjithëpërfshirës e të rëndësishëm këtë dokument. E menjëherë të gjithë ne të nisim Punën për realizmin e këtij objektivi” shkruan Ardian Kollozi./ db/ Abcnews.al