Nga Leontina Nika
“Një jetë në fluturim”, kështu titullohet përmbledhja me poezi e Drago Siliqit. Emocionet janë të shumëfishta në këtë prezantim të librit për të bijën Laura Siliqi Konda.
“Ndjehem shumë mirë për ribotimin e veprës së babait. Kjo është një përzgjedhje e vëllimeve të mëparshme, është një përmbledhje e poezive të tij, kritikave të studimeve të tij”, thotë ajo.
Në këtë libër vijnë edhe kujtimet e miqve të tij, disa botohen për herë të parë.
“Siç janë kujtimet e shkrimtarit Naum Prifti që aktualisht jeton në New York dhe ka shkruar kujtimet e tij gjatë kohës që kanë punuar bashkë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, tregon ajo.
Libri përmbyllet me poezinë Fotografia e babait, ku Laura portretizon të atin, të cilin e humbi në moshën 2 vjeçare, por ajo thotë se ai ka qenë gjithnjë prezent me përshkrimet e mamasë.
“Unë kam qenë shumë e vogël kur babai humbi jetën, por ka qenë gjithmonë i pranishëm përmes nënës time dhe motrës. Ai ka jetuar gjatë gjithë këtyre viteve me mua”, shprehet ajo.
Poezitë e Drago Siliqit shquhen për nota aktualiteti , ajo veçon poezinë “Atdhe”.
Drago Siliqi është poet publicist dhe kritik i cili i dha një ton të guximshëm kritikes letrare shqiptare. Drago Siliqi lindi më 9 qershor të vitit 1930 në Tiranë.
Studimet e larta i kreu në Universitetin e Moskës. Pas kthimit në atdhe punoi si redaktor dhe drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”.
Për herë të parë shkroi në moshën 15-të vjeçare. Vdiq më 13 korrik 1963 në një fatkeqësi të komunikacionit ajror. Trupi i tij mbërriti ne atdhe 10 vite me vonë.
/abcnews.al/

