32 vjet nga incidenti bërthamor, zona përreth centralit të Çernobillit në Ukrainë ka ndryshuar pamje. Qeveria ukrainase ka ngritur atje impiantin më të madh për energjinë diellore, që do të sigurojë elektricitet për mijëra familje. Sidoqoftë, njerëzit mund të kthehen në zonë vetëm pas 24 vitesh.
Më shumë se tre dekada nga tragjedia bërthamore që mori mbi 30 jetë njerëzish, zona e Çernobillit në Ukrainë i është nënshtruar një ndryshimi rrënjësor. Perimetri përreth centralit atomik tani është pjesë e një zone prej 1 mijë metra katrorë, ku janë vendosur impiante për energjinë diellore.
Bëhet fjalë për impiantin e parë të këtij llojit të ngritur në zonën e braktisur, në kuadër të një nisme të nisur në vitet e fundit nga qeveria ukrainase, që ka ftuar bizneset të investojnë në fushën e energjisë alternative.
Impianti do të prodhojë energji elektrike për rreth 2 mijë shtëpi, por njerëzit nuk do të mund të kthehen në zonën e evakuuar edhe për 24 vjet të tjera. Natën mes 25 dhe 26 Prillit të vitit 1986 çentrali i Çernobillit shpërtheu duke vrarë 31 persona.
Gjithashtu, materiali radioaktiv u përhap në atmosferë dhe kaloi kufijtë e Ukrainës, duke u përhapur edhe në Europë e duke rritur rastet e kancerit në tiroide. Centrali u çmontua dhe në vitin 2000 aksesi brenda tij u mbyll përfundimisht./abcnews.al