Çështja e vajzës nga Fushë Kruja që akuzoi për dhunë djalin e deputetit socialist të zonës, dominoi javën politike që lamë pas me përplasje, akuza e kallëzime reciproke mes mazhorancës e opozitës. Por pati edhe një dimension që u luajt pas kuintave, për ta orientuar atë çështje. Detajet i sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.
Viti i gjashtë në pushtet po provohet rraskapitës për Kryeministrin. Sistematikisht njerëz pranë tij vihen në qendër të akuzave të forta publike.
Rasti i vajzës nga Fushë-Kruja që paditi djalin e deputetit socialist të zonës për dhunë ndaj saj, ndërsa një nënkomisar akuzoi për ndërhyrje e favorizim nga mazhoranca për këtë rast, nuk po rezulton çudia që zgjat tre ditë, pavarësisht një impenjimi të qartë, për ta sfumuar, e konsideruar si konspiracion të opozitës ndaj qeverisë.
E për të orientuar vëmendjen diku tjetër, në debat po hidhet edhe audiopërgjimi i Babales i publikuar 4 muaj më parë nga PD, e madje edhe paralajmërimi për një paketë antishpifje. Një operacion i gjerë spin-i politik e mediatik, për të kontrolluar debatin publik e orientuar atë.
Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist të Fushë Krujës Rrahman Rraja, u arrestua dy muaj pas denoncimit të Xhisiela Malokut. Urdhër arresti i prokurorisë u parapri nga dalje intensive publike të SHÇBA, e Policisë së Shtetit, ku përsëritej se policia e kishte bërë punën e vet, ndryshe nga sa deklaronte nënkomisar Nuhu.
PD e konsideroi arrestimin një akt të vonuar, sipas saj i ardhur vetëm pasi nënkomisar Emiljano Nuhu, tashmë në arrati, e bëri publik rastin.
Nga krahu i mazhorancës, peshën publike të reagimit mbrojtës për këtë rast po e mban Kryeministri dhe numri 2 i partisë së tij. Edi Rama e Taulant Balla në dy postime të njëpasnjëshme, akuzuan PD se po bën luftë politike me vajzën viktimë.
Deklaratat mohuese Xhisiela Malokut në studio televizive, të ardhura pas një denoncimi ndaj djalit të deputetit, e ekspertizës mjeko-ligjore të dhunës së konstatuar në trupin e saj, befasuan opinionin publik, që ishte dukshëm në anën e saj si viktimë, e madje një protestë ishte mbajtur para kryeministrisë, për të kërkuar drejtësi në emër të saj.
Në dosjen e prokurorisë ndodhet e dokumentuar me fjalët e saj, një nga rastet flagrante të dhunës që i takon datës 19 korrik.
“Sipas prokurorisë, pasi i ka thyer telefonin, Rexhep Rraja, e ka dërguar në dhomën e hotelit në rrugën e Rinasit. Pasi e ka goditur me shkelma i ka fikur cigaren në trup duke i thënë: “trego ku do shkosh se do të të vras..ketu”. Referuar dosjes, këto kërcënime i hetuari Rraja i ka vazhduar për pesëmbëdhjetë minuta duke i thënë viktimës “nuk do të të vras, do të të plagos..dua të vuash e jo të vdesësh direkt..”
Edhe me këtë dëshmi në dosje, Gjykata e Krujës la në burg 24 vjecarin Rexhep Rraja për akuzën e përndjekjes, të cilën e mohoi në sallën e gjyqit, duke thënë se kishte patur vetëm një konflikt të momentit me ish të dashurën.
Kryeministri që ndiqte situatën me shumë vëmendje, nuk e vonoi replikën në Twitter. Për të përforcuar qëndrimin se ky rast është një abuzim i PD, paralajmëroi masa ligjore për shpifjen.
Rama ia del ta orientojë vëmendjen drejt mediave, duke i zhvendosur me sukses ndjesitë e publikut për ngjarjen, nga djali i deputetit i paditur për dhunë e i lirë, tek media që e përcjell intensivisht historinë e vajzës.
Por c’ka Rama nuk sqaroi, e bëri Presidenti Meta. Një ditë pas konfirmimit të masës arrest me burg për djalin e deputetit Rraja, konfirmoi se e kishte marrë letrën e nënkomisar Emiljano Nuhut, që denonconte ndërhyrjet e kërcënimet ndaj tij për çështjen ku përfshihej djali i deputetit.
Duhet thënë se çështja e vajzës viktimë të Fushë-Krujës po i reziston traditës së çudisë që zgjat tre ditë. Një tjetër çështje po tentohet të infiltrohet në debatin publik, për të zbehur të parën. Në mbi 4 muaj nga publikimi i atij që njihet si audiopërgjimi i Babales, që implikoi edhe vëllain e ministrit të Brendshëm, është raportuar një maratonë e pashpjeguar për publikun e përcjelljes së materialit për ekspertizë, fillimisht në Itali, e më pas në Britaninë e Madhe, edhe pse vetë Kryeministri, tha se e mori një rezultat brenda 24 orëve.
E kur pikëpyetjet publike rriteshin për mungesën e arrestimit të djalit të deputetit të akuzuar për dhunë, më 26 Shtator rodhi në media se përgjigja e audiopërgjimit nga Britania kishte mbërritur, e po përkthehej.
Përse vallë Km duhej të ishte në dijeni të asaj që do prodhonte ai hetim i prokurorisë së krimeve të rënda? Ky rast flagrant, i shpëtoi panelit që kishte përballë, edhe pse i njëjti kryeministër, pak minuta para asaj deklarate, kishte thënë se ai nuk mund të kishte dijeni për procedurat e prokurorisë së Krujës ku po hetohej djali i deputetit të tij.
Padyshim që ai paralajmërim i Kryeministri, rriti interesin kur prokuroria thirri të premten për të marrë në pyetje për çështjen e audiopërgjimit deputetin demokrat Salianji. U shfaq pa një avokat në krah dhe sqaroi mediat pas dy orësh seancë pyetjesh.
Informacioni hetimor i kryeministrit u vërtetua të shtunën pasdreke. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krimet e Rënda lëshoi një urdhër arresti për personin që realizoi audiopërgjimin, Albert Veliun, i njohur si “Babalja” për kallëzim të rremë. Kërkesa për masë erdhi pasi akt-ekspertiza britanike konstatoi se audio-përgjimi ishte i montuar, e se në të nuk identifikohet zëri i Geron Xhafajt.
Personi që pretendohej si Geron Xhafaj, dyshohet të jetë Fredi Alizoti, kunati i Albert Veliut. Edhe për të u lëshua një urdhërarresti. Prokuroria akuzon për kallëzim të rremë edhe gazetarin Jetmir Olldashi, e ndaj tij është dhënë masa për detyrim paraqitje. Me tone optimiste erdhi reagimi i Kryeministri, pasi u vërtetua ç’ka kishte paralajmëruar vetë, dy ditë më herët.
/abcnews.al