Kreu i Komisionit qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një prononcim për mediat ka bërë me dije se do të ndryshojnë të gjithë personat e akreditur për vëzhguesit në KZAN-në tek shkolla “1 Maj”.
Ky vendim vjen pas sherrit të dhunshëm që ndodhi mbrëmjen e sotme. Gjithashtu kreu i KQZ tha se kanë udhëzuar katër orë pushim për këtë qendër numërimi, pasi ishte e nevojshme.
“Procesi deri para incidentit ka shkuar mirë. Ka pasur bashkëpunim të mirë. Incidenti që ka ndodhur natyrshëm e ka acaruar situatën dhe nuk ka krijuar kusht pune të mirë. Tani për ta risjellë këtë situatë në pozitat e ligjit kemi vendosur që të shfuqizojmë të gjitha akreditimet e vëzhguesve të dhënë deri më sot. Kemi dhënë akreditime për vëzhgues të tjerë. Kemi dhënë akreditimet e reja për vëzhgues të rinj. Nga një për secilin subjekt zgjedhor. Në këtë sallë do të jenë vëzhguesit e subjekteve zgjedhore 13 të tillë, deri në 7 të organizatave konfirmimin e t cilave do ta bëjë KQZ.
Numërimi do të vazhdojë por do të dalin të gjithë akredituesit, do të përfundojë procesi i votimit të kutive tani. Kemi autorizuar pushim katër orësh për KZAZ-në. Ishin të gjithë në nevojën për ta pasur këtë pushim,” tha ai.
Mbrëmjen e sotme në këtë qendër numërimi pati një përplasje të fortë mes disa anëtarëve të grupeve të numërimit dhe vëzhguesve. Siç mëson ABC te shkolla “1 Maj” janë konfliktuar fillimisht dy vëzhgues mes njëri tjetrit e më pas kanë dashur të hyjnë brenda ambienteve të numërimit disa persona që ishin jashtë. g.v/abcnews.al