Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka drejtuar 8 pyetje komisionit të Venecias lidhur me propozimin e demokratëve për ndryshimet kushtetuese të cilat do të mundësonin rivlerësimin kalimtar të politikanëve, i njohur ndryshe si Vetting.
Në letrën e zbardhur nga ABC News, kreu i Kuvendit mes të tjerash kërkon të dijë nga Venecia nëse këto ndryshime ndërhyjnë apo mbivendosnin punën e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Njësisë Speciale Antikorrupsion, organe këto të parashikuara nga reforma në drejtësi e vitit 2016, që ende nuk janë ngritur, apo edhe vetë ligjin e dekriminalizimit.
Njëkohësisht kreu i Kuvendit i ka kërkuar Komisionit të Venecias informacion mbi standardet dhe praktikat ndërkombëtare të procesit të rivlerësimit të politikanëve.
Pasi e pyet komisionin lidhur me qëllimin e projektligjit të hartuar nga demokratët dhe nëse ky qëllim është legjitim, Gramoz Ruçi, në cilësinë e kreut të Kuvendit kërkon të dijë gjithashtu nga ky komision nëse kjo ndërhyrje në të drejtën për t’u zgjedhur është e balancuar dhe në përputhje me standardet e Konventës si dhe Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, bazuar në parimin e propocionalitetit dhe parashikimit në ligj.
Kreu i Kuvendit kërkon gjithashtu të njihet me dallimin, nëse ka të tillë, mes standardeve të kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe atyre për kontrollin e deputetëve dhe kryebashkiakëve.
Dy prej pyetjeve drejtuar Komisionit të Venecias nga kreu i ligjvënësit shqiptar kërkojnë gjithashtu të dijnë nëse ndryshimet kushtetuese të paraqitura nga demokratët bien ndesh me nenin 6 dhe atë 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Përkatësisht nëse ky proces rivlerësimi kalimtar i politikanëve do të ndërhynte me të drejtën e tyre për mbrojtjen e reputacionit apo atë për një procesi të rregullt ligjor.
Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut në nenin 6 të saj parashikon se çdo person i akuzuar prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht, si dhe i njeh çdokujt një gjykim të drejtë, publik dhe të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme.
E ndërsa neni 8 i saj njeh të drejtën e respektimit të jetës private, familjare, banesës dhe korrespondencës së çdokujt, pika dy e të cilit thekson se autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në këto të drejta, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji apo kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, mbrojtjes së rendit publik, shëndetit, moralit apo të drejtave dhe lirive të të tjerëve./abcnews.al