Gjykata e Tiranës liroi nga qelia Merita Sulën, bashkëshorten e Hasan Sulës, në banesën e të cilëve u gjet një sasi prej 1.2 tonë kanabis dhe një armë zjarri. Kurse Hasan Sula u la në “arrest në burg”, pasi ai kishte pranuar se ishte kultivues dhe magazinues i drogës.
Hasan dhe Merita Sula janë bashkëshortë. Ata u arrestuan mbrëmjen e 3 nëntorit kur policia gjeti në banesën e tyre në zonën e Rinasit një sasi prej 1.2 tonë kanabis si dhe të një arme zjarri.
Të hënën çifti doli para Gjykatës së Tiranës për masën e sigurisë.
Në sallën e gjyqit burrë e grua qëndruan të heshtur duke u mjaftuar me konfirmimin e pretendimeve të avokatëve.
Para hetuesve, Hasan Sula kishte pranuar të ishte ai autor i kultivimit dhe magazinimit të drogës, duke përjashtuar familjarët. I njëjti qëndrim është mbajtur edhe nga bashkëshortja.
Prokurori Julian Zonja kërkoi masën e sigurisë “arrest në burg” për ta, kërkesë që u pranua vetëm për Hasan Sulën. Për bashkëshorten e tij gjykata urdhëroi lirim nga qelitë e paraburgimit.
Më herët, prokurori Zonja tha se lënda narkotike u gjet në ambiente të ndryshme të banesës.
Operacioni policor “Papafingo” u parapri nga një tjetër operacion antidrogë në Tiranë, ku u godit një grup shpërndarësish. Prej tyre policia mësoi se droga sigurohej tek familja Sula në Rinas./abcnews.al