Opozita greke: Marrëveshja me Maqedoninë duhet t’i nënshtrohet referendumit

schedule17:13 - 3 Tetor, 2018

schedule 17:13 - 3 Tetor, 2018

Opozita greke ka kërkuar që marrëveshja me Maqedoninë për cështjen e emrit, duhet fillimisht ti nënshtrohet një referendumi popullor para se të shkojë në parlament. Lideri i Demokracisë së re Micotakis theksoi se partia e tij nuk do të votojë asnjëherë pro saj.

Lideri i Demokracisë së re në Greqi, Micotakis, deklaroi se partia e tij është kundër marrëveshjes së Prespës pasi në këtë mënyrë i janë bërë shumë lëshime identitetit dhe gjuhës maqedonase. Ai kërkoi zgjedhje të parakohshme në vend si dhe që marrëveshja me Maqedoninë fillimisht t’i nënshtrohet një referendumi popullor para se të shkojë për votim në parlament.

Ai theksoi se pavarësisht se marrëveshja e Prespës është nënshkruar nga qeveria e kryeministrit Tsipras, partia e tij nuk do ta ratifikojë asnjëherë këtë marrëveshje. As tani dhe as nëse e gjen sërish në parlamentin e ri të vendit.

Kryetari i Demokracisë së Re edhe njëherë e akuzoi qeverinë se ka qëndrime të ndryshme Brenda saj. Kjo duke marrë përshembull se shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias, ka një qëndrim tjetër dhe ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos tjetër. Për këtë arsye sipas Micotakis është e domosdoshme që për çështjen me Marrëveshjen e Prespës, të vendosë populli grek, para se të shkojë për ratifikim në parlament

Lideri i demokracisë së re akuzoi qeverinë në pushtet se po shfrytëzon mospajtimet e brenshme për t’i zgjatur jetën ekzekutivit aktual, ndërkohë që po i bën një dëm të madh vendit. Për këtë arsye ai këmbëngul se Greqia duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të reja dhe sa më shpejt ndodh aq më mirë është për vendin. /abcnews.al