Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është duke folur, ndërsa lëviz me automjet drejt Shkodrës, për “ABC e Mëngjesit” me Enkel Demin dhe Sibora Bitrin. Gjatë bisedës, ndër të tjera, kreu i demokratëve u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht dhe të votojnë më 25 prill.
Sipas tij, këto zgjedhje do të kenë pjesëmarrjen më masive që është parë në këto 30 vite demokraci.
“Është dita e shqiptarëve, ftesa ime është që ta intensifikojnë këto orë politikën. Do jetë pjesëmarrja më masive në 30 vite dhe fitorja do të jetë masive.”
Ndërsa, i pyetur se çfarë do të ndodhë me borxhin që Shqipëria i ka Francesco Becchetti-t, nëse Partia Demokratike vjen në pushtet, Basha tha se “fatura” do të paguhet me pasuritë e kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Engell Agaçt.
Lideri demokrat tha se dëmi është shkaktuar nga sjellja e kryeministrit, kryebashkiakut dhe Sekretarit të Përgjithshëm. Për këtë, shtoi ai do të bashkëpunohet me Europol dhe organizata të tjerë ndërkombëtare për të ngritur mekanizma e për të gjurmuat pasuritë e tyre.
“Është një dëm i shkaktuar nga sjellja e kryeministrit, kryetarit të bashkisë Tiranë dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Dëmi ka përgjegjësi personale, siç e kam thënë dhe do të adoptojmë të njëjtat norma. Nuk do të paguhen nga taksat e qytetarëve, por do të jetë përgjegjësi individuale e atyre të treve. Do të bashkëpunojmë me Europol dhe organizata të tjerë. Do të ngremë mekanizma për të gjurmuar pasuritë e tyre kudo të ndodhen, në banka offshore.” sb/abcnews.al/