Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka sqaruar bisedimet që pati me presidentin Halili dhe futbollistët. Braziliani pohoi se edhe ai vetë ka bërë gabime.
E keqja kaloi dhe thuhet se u lidh një besë. Sesa e fortë, këtë do ta shohim në vijim, por për momentin Ze Maria mund të vazhdojë punën normalisht si trajner i Tiranës.
Tekniku 45-vjeçar sqaroi për mediat se çfarë bisedash pati me numrit 1 të klubit dhe me pjesëtarët e skuadrës. Dy orë kokë më kokë me Halilin, dhe dy orë e gjysmë sy në sy me ekipin, do të thonë se gjendja ishte tepër serioze.
Ze Maria pranoi problemet me lojtarët dhe faktin se ai disa herë e ka shkelur, duke u sjellë me arrogancë, ndonëse u shpreh në mënyrë tjetër. A mund të quhet ky një hap prapa i tij për të mbajtur detyrën?
Braziliani e hodhi poshtë këtë version, duke thënë se në verë refuzoi oferta më të mëdha sesa 5 000 euro në muaj që merr tek Tirana. Tek Tirana puna vazhdon, por akordi siç tha trajneri, vlen thjesht për momentin.
Në radhë është ndeshja e mesjavës në Superligë, këtë të mërkurë në fushën e Kastriotit, dhe një tjetër gabim mund të ishte fatal.
Në klub janë përmendur edhe alternativat e mundshme, si Ardian Mema, ndihmës i Ilir Dajës tek Flamurtari, Julian Ahmataj trajner i Kamzës, por edhe Sulejman Starova, ish-trajner i Partizanit./abcnews.al