Sezoni turistik duket i mbyllur për shqiptarët, por jo për turistët e huaj. Këtë të martë u ndal në Portin e Durrësit një Kroçere me turistë nga 24 vendet e botës.
Më shumë 1200 turistë të huaj, shumica e të cilëve nga Japonia dhe vendet e Azisë Lindore mbërritën në Durrës me kroçerën “Ocean Dream”.
Turistike me gjatësi 205 metra dhe personel 391 vetë u ankorua paradite e kësaj të marte në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.
Nga agjencia pritëse, mësohet se anija turistike që vjen për herë të parë në Durrës ka sjellë në Durrës turistë nga 24 vende të ndryshme të botës.
886 prej tyre vijnë nga Japonia. Ndërsa pjesa tjetër vijnë nga SHBA, Tajlanda, Koreja e Jugut, Kanadaja, Britania e Madhe, Spanja, Gjermania, Hollanda, Australia, Belgjika, etj.
Një pjesë e turistëve dolën nga mjediset portuale për të vizituar qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit, ndërsa më shumë se sa 20 autobuzë me turistë të tjerë u nisën drejt Tiranës, Krujës dhe Beratit.
“Ocean Dream” me flamur të Panamasë ka lundruar natën e kaluar nga Dubrovniku drejt Durrësit ndërsa do të vijojë udhëtimin drejt Korfuzit. /abcnews.al