Një pikë për Interin kryesues, fiton Juventusi në Serie A, ndërsa Cagliari merr një trepikësh jetik në Friuli përballë Udineses vendase. Zikaltrit e Contes e mbyllën në barazim 1-1 takimin jashtë fushe me Spezian.
Vendasit, tek të cilët Ardian Ismajli është kthyer në një titullar fiks, e filluan shumë mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh në minutën e 12-të. Braziliani Diego Farias shënoi një gol të bukur, teksa në minutën e 39-të erdhi reagimi i ekipit që kryeson Serie A me Ivan Perisic.
Romelu Lukaku dërgoi topin në rrjetë pesë minuta përpara fundit të ndeshjes, por goli i bomberit belg u cilësua i parregullt. Përfundimisht 1-1 dhe Interi kryeson me 10 pikë mbi Milanin kur kanë mbetur edhe 7 javë kampionat.
Juventusi siguroi një trepikësh të rëndësishëm për objektivin Champions pas suksesit 3-1 kundër Parmës, që është me një këmbë në Serie B. Gaston Brugman kaloi miqtë emilianë në avantazh falë një goditje dënimi perfekte.
Bardhezinjtë e Andrea Pirlos reaguan iu falën golave të mbrojtësve Alex Sandro (2x) dhe Matthijs De Ligt dhe janë ngjitur përkohësisht në vend të tretë, me vetëm një pikë më pak se Milani i Zlatan Ibrahimovic.
Një gol i brazilianit Joao Pedro nga pika e penalltisë në minutën e 55-të, i dhuroi Cagliarit fitoren 0-1 jashtë fushe ndaj Udineses. Tre pikë fantastike për ekipin sard, që po lufton për të qëndruar në elitë.
Fitore në transfertë arriti edhe Sampdoria përballë Crotones së vendit të fundit. Djemtë e Ranierit triumfuan 0-1 falë rrjetës së “veteranit” Quagliarella, ndërsa sfidat Genoa-Benevento (2-2) dhe Bologna-Torino (1-1) u mbyllën pa fitues. /abcnews.al