Gjykata e Beratit caktoi sot masën e sigurisë arrest në burg në mungesë për Talo Çelën, i dyshuar për atentatin ndaj biznesmenit Irfan Azizi. Ngjarja ndodhi në nëntor të vitit të kaluar përpara një karburanti, që është në pronë e biznesmenit.
Gazetari i ABC në Berat, Artan Diko raporton se dosja hetimore ndaj tij pritet t’i kalojë për kompetencë SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Talo Çelës pak muaj më parë i vranë vëllanë, Bujar Çelën.Policia e Shtetit vendosi në korrik të vitit të kaluar si shpërblim 10 mijë euro për qytetarët që japin informacion për vendndodhjen e Talo Çelës, lindur dhe banues në Elbasan.
Sipas Policisë së Shtetit, ky person është shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, për një sërë ngjarjesh kriminale. Talo Çela “është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 09.04.2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, grabitën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare”.
Gjithashtu ai është i dyshuar si autor i ngjarjes së datës 27.04.2020, në lagjen 14/1 Durrës, në vendin e quajtur “Tregu i makinave”, Shënvlash, Durrës, ku u vranë me armë zjarri 2 vëllezërit Haxhia.
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”./ Abcnews.al