Dita e të Moshuarve, 13% e popullsisë mbi 65 vjeç

schedule13:46 - 1 Tetor, 2018

schedule 13:46 - 1 Tetor, 2018

92 mijë pensionistë në vendin tonë dita ndërkombëtare e tyre i gjen të vetmuar. “Të gjithë sëbashku të mbrojmë të drejtat e të moshurave” është moto e këtij 1 Tetori ndërsa shoqatat e pensionistëve kërkojnë më tepër vëmendje nga shteti për këtë grupmoshë.

Habil Shkurtin e gjejmë mes miqsh. 81-vjeçari jeton vetëm dhe kjo drekë me rastin e ditës ndërkombëtare të të moshuarve për të është një moment për t’i ikur përditshmërisë.

Bashkëshorten e ka humbur një vit më parë. Fëmijët na tregon se kanë krijuar familjet e tyre, ndërsa për të kujdeset mbesa.

Si ish-ushtarak merr një pension prej 30 mijë lekësh. Na tregon se jeton me qira e gjysmën e tij e shpenzon për të paguar shtëpinë. Me pjesën tjetër i duhet të shlyejë fatuarat, të blejë ilaçet, e ç’i tepron i përdor për t’u ushqyer megjithëkëtë thotë se mes shokësh ka dhe më keq se ai.

92 mijë pensionistë jetojnë të vetmuar. Të pakët janë të moshuarit që gjejnë një mundësi për t’u shkëputur nga rutina. 8% e personave mbi 65 vjeç sipas raportit të fundit të rrjetit “Mosha” dëshmojnë për një izolim të plotë social pasi nuk kanë asnjë kontakt me familjen ose miqtë.

Të tjerëve pavarësisht moshës iu duhet të punojnë.

Këtë kanë mënyrën e vetme për të jetuar.

37% e të moshuarve në vendin tonë, sipas studimeve të fundit, jetojnë në varfëri. Nisur nga ky fakt shoqatat e të moshuarve i kanë kërkuar Bashkisë së Tiranës që personat të cilët trajtohen me pension social të mund të udhëtojnë falas në transportin publik.

Bashkia për këtë nuk ka vendosur ende, por kryebashkiaku tha se do të rikthejë një tjetër nismë për këtë grupmoshë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ja bëri të ditur një grup të moshuarish me të cilë konsumoi kafen e mëngjesit.

Në vendin tonë ky 1 Tetor, të moshuar gjen 13% të popullsise ndërkohë që mesazhi i ditës botërore këtë vit është “Të gjithë sëbashku të mbrojmë të drejtat e të moshurave”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!