“Ndihmoni mamin të kujdeset për mua”, mësuesja nga Bilishti ka nevojë urgjente për transplant

schedule14:41 - 19 Prill, 2021

schedule 14:41 - 19 Prill, 2021

Nga Ledjona Xheladinaj

Drineda Danglli nga Bilishti i Korçës,  nënë e një fëmijë të mitur çdo ditë po humb shpresën për jetën.

Që prej janarit të vitit të kaluar që u diagnostifikua me leucemi akute, gjendja shëndetësore e  27 vjeçares sa vjen dhe përkeqësohet.

Djali 8 vjeçar nuk i ndahet asnjë moment. Është i vetmi motiv që e shtyn të kërkojë ndihmë.

Vetëm transplanti i palcës mund ta shpëtojë.

“Jam e lodhur nga mjekimet, trupi s’po mi përballon më. Mjekët sugjerojnë për transplant të palcës së kockës, por kjo realizohet vetëm jashtë shtetit. Në Turqi e kanë marrë përsipër, por është shumë shtrenjtë. S’mundem ekonomikisht ta përballoj. Ndaj kërkoj ndihmë. Sidomos për një fëmijë të vogël që kam për ta rritur. Ai është në gjendje ankthi se unë më shumë në spital sesa në shtëpi”, shprehet ajo mes lotësh.

E pafuqishme prej trajtimit me kimioterapi. Tani ka frikë se po i mbarojnë dhe dhuruesit pasi herë pas herë bën dhe transfuzion gjakut.

“Është lloji i kancerit që nuk më le të prodhohet gjaku. Shkoj në spital dhe marr shumë transfuzion gjaku për të mbijetuar. Kam gjithë familjarët që dhurojnë, por tani nuk kam më njerëz të dhurojnë. Se nuk ka lënë njeri pa më dhuruar”, tregon Drineda Danglli.

Djalin po e rrit e vetme me ndihmë e prindërve. 8 vjeçari është mbyllur në vetvete. Qan pa zë tek shpatulla e nënës.

E vetmja dëshirë që shpreh është që të rritet me të.

“Unë kam dëshirë që të më ndihmoni mamin që të kujdeset se unë nuk kam asnjë njeri të kujdeset për mua”, shprehet djali.

Drineda jeton me prindërit e moshuar të cilët janë mbështetja e vetme e saj po sëmundja e saj i ka gjunjëzuar dhe ata.

“Ju lutem të gjithë shqiptarëve që të na ndihmojnë”, thotë ai mes lotësh.

27 vjeçarja me profesion mësuese ka ndërprerë dhe punën. Jeton vetëm me një kemp dhe pensionin e të atit.

Këto para nuk ju dalin as për tu ushqyer jo më të arrijë të paguajë kostot e transplantit.

Kliko këtu për të dhënë kontributin tënd!

 /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!