Fatmir Mediu, kandidati i “Aleancës për Ndryshim”, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me qytetarët në Rrogozhinë.
Mediu theksoi se tashmë ka ardhur koha që shqiptarët të marrin në dorë fatin e tyre dhe të vendosin për të ardhmen e familjes.
Gjatë fjalës së tij Mediu deklaroi se të majtët dhe të djathit duhet të bëhen bashkë për të ndaluar regjimin e korruptuar sipas tij të kryeministrit Edi Rama.
Pjesë nga fjala e Fatmir Mediut:
Ka ardhur momenti që të gjithë ne sëbashku të marrim një vendim. Vendimi ynë është një vendim që ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve tanë, të familjeve tona dhe të vendit tonë. Kemi 30 vjet që përpiqemi për të ndërtuar një shtet demokratik, ku zëri ynë si qytetarë të ketë vlerë, ku forca dhe dinjiteti ynë të respektohet, ku ne të kemi mundësi, të kemi punë dhe nëpërmjet punës të garantojmë dhe dinjitetin dhe marrëdhënien tonë familjare.
Dhe besoj të majtë dhe të djathtë, të bashkohemi në një përfundim; Ky nuk është shteti që u takon shqiptarëve, ky nuk është shteti që respekton shqiptarët, ky nuk është shteti evropian që duam, ky është regjimi i korruptuar dhe i inkriminuar i Edi Ramës dhe gjithë klanit të tij.
“Rama ik!”Duhet t’a bëjmë realitet ne, dhe këtë do ta bëjmë realitet duke besuar tek vetja jonë, duke besuar që ne kemi në dorë të ardhmen tonë.
Detyra e parë e gjithsecilit në datën 25 Prill, është të dalim dhe të votojmë, pavarësisht të majtë apo të djathtë, të tregojmë që ne vendosim në një shoqëri demokratike, për fëmijët tanë, për familjet tona, për Rrogozhinën dhe për mbarë Shqipërinë.
Nuk ka krim më të madh se të kërkosh të blesh varfërinë e tjetrit. Nuk ka krim më të madh se sa të kërkosh t`i blesh votat e qytetarëve.
Nuk ka krim më të madh se të kërkosh të manipulosh zgjedhjet. Nuk ka krim më të madh se të mos i japësh mundësinë qytetarëve të Rrogozhinës dhe mbarë Shqipërisë, që të kenë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, që të vendosin me bindjen e tyre, pavarësisht të majtë a të djathtë.
Mbi 74% e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria. Mbi 92% e atyre që kanë studiuar jashtë, me mundin dhe djersën e prindër vetë tyre, që kanë pasur ëndërr që ata të kthehen në Shqipëri, të bëhen liderët e së ardhmes, të ndërtojnë për familjet e tyre dhe për Shqipërinë, nuk duan të kthehen më.
Prandaj është e rëndësishme që në këto zgjedhje ne të gjykojmë se ku jemi vetë, ku janë familjet tona, ku është shoqëria jonë dhe ku po shkon Shqipëria dhe kombi ynë. Le të marrim një përgjegjësi të gjithë sëbashku për të dalë dhe për të votuar dhe për t`i thënë njëherë e përgjithmonë këtij regjimi të korruptuar, që ti nuk mundet të zësh rrugën tonë, nuk je Zot mbi jetët tona.
Ne jemi Zot të fatit tonë, të familjeve tona dhe të Shqipërisë.
Në emër të kombit, të flamurit, të familjeve, ne duhet të largojmë këtë klikë të korruptuar, regjimin e korruptuar të Edi Ramës.
/abcnews.al/