Policitë në të gjitha rrethet kanë hartuar një plan masash për të parandaluar rastet e zjarrvënieve dhe për të identifikuar autorët. Vetëm gjatë ditëve të fundit janë regjistruar disa vatra zjarri dhe janë vënë në pranga banorë apo barinj që janë bërë shkak për zjarrin.
Dy javët e fundit janë shënuar disa zjarrvënie. Raste në pyje, kullota e ullishte. Vatrat aktivizoheshin si në kohë vere. Era favorizoi përhapjen e flakëve duke rrezikuar banesa, biznese apo djegur sipërfaqe toke. Policitë në të gjitha rrethet kanë hartuar plane masash. Specialistët e zonave janë shpërndarë në terren për të vënë kontaktet me banorët.
“Kanë marrë detyrë dhe janë shpërndarë në të gjitha zonat që ata mbulojnë, ku kanë rimarrë dhe po vijojnë kontaktet me të gjithë barinjtë që kanë kullota në shfrytëzim, apo me banorët të cilët nga pakujdesia shkaktojnë zjarr ku shpesh këto zjarre kanë dalë jashtë kontrollit duke shkaktuar pasoja në pronën private dhe shtëtërore”.
Për zjarrvëniet e qëllimshme ose nga pakujdesia janë vënë nën arrest disa autorë dhe janë proceduar disa të tjerë. Shtabet e emergjencave në prefektura me përfaqësuesit e njesive administrave dhe drejtoritë rajonale të mjedisit po koordinojnë veprimet për të parandaluar ndezjen e vatrave të zjarrit./abcnews.al