E “fundosi” pasuria, prokurori ndjek trupën gjykuese pasi e shkarkuan: Ku do më çoni tani?!

schedule13:10 - 15 Prill, 2021

schedule 13:10 - 15 Prill, 2021

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra prokurorin e Beratit Tasim Puci. Prokurori nuk ka arritur të kalojë vettingun, pasi nuk ka rezultuar i pastër në shkallët e rivlerësimit.

Megjithatë, një situatë e pazakontë ka ndodhur menjëherë pasi mori vendimin. Duket se Puci nuk arriti të menaxhojë emocionet dhe i ndoqi pas anëtarët e trupës gjykuese të cilët po dilnin nga salla duke u thënë: “Ku do më çoni tani mua?!”

Reagimi i Pucit shkaktoi për një moment tension në sallë, por situata u qetësua me ndërhyrjen e forcave të sigurisë. “Jam pa shtëpi e katandi,” tha prokurori i përpara se të largohej nga salla.

Procesi i vetingut për prokurorin e Prokurorisë së Beratit, Tasim Puci u krye nga trupa e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Sipas relatimit, ai u gjet me probleme në të tre kriteret e rivlerësimit.

Nga qëndrimet në seancë dhe diskutimi në pyetje përgjigje, Komisioni duket se ishte fokusuar në pasurinë e Pucit, kryesisht një apartament 108 metra katrorë në emër të vjehrrit, por që kishte pasur kontratë dritash në emër të Pucit. Ky i fundit rezultoi se kishte bërë një kontratë noteriale, nga e cila lihej të kuptohej se kishte pasur pronësinë e apartamentit, gjë që e mohoi gjatë seancës. Por çfarë kishte ndodhur mbeti e paqartë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!