Hapja e kopshteve shton virozat, 260 urgjenca në ditë

schedule19:27 - 14 Prill, 2021

schedule 19:27 - 14 Prill, 2021

Nga Ema Shazivari 

Hapja e çerdheve dhe kopshteve ka sjellë edhe shtimin e virozave të stinës tek fëmijët. Kjo reflektohet edhe në urgjencat pediatrike në QSUT.

Shefja e shërbimit, Numila Kuneshka thotë se, prej më shumë se një muaji vihet re një rritje e vizitave krahasuar me periudhën e dimrit. Nga 100 urgjenca që kishte më parë, tashmë paraqiten deri në 260 në ditë.

“Një rritje e numrit të paraqitjeve në urgjencën e spitalit të pediatrisë në këto 2-3 muajt e fundit. Nëse gjithë periudhën e pandemisë numri i paraqitjeve në urgjencën e pediatrisë ka qenë mesatarisht 70-100 fëmijë në 24 orë, shikohet që këto dy muajt e fundit ka një rritje të paraqitjes së fëmijëve në urgjencën e pediatrisë. Ky numër shkon mesatarisht tek 200 fëmijë në 24 orë.”

Mjekja shpjegon se të tjerë faktorë që ka ndikuar në këtë rritje, janë ndryshimi i temperaturave dhe alergjitë e stinës.

“Janë virozat e stinës, që janë në këtë periudhë në qarkullim. Janë edhe alergjitë stinore. Patologjitë me të cilat fëmijët paraqiten janë ato respiratore, për të cilat marrin mjekim përkatës. Një pjesë e tyre shtrohen, janë me insuficenca respiratore.”

Mjekët në urgjencën e pediatrisë në qsut theksojnë se shumë prindër i sjellin fëmijët në spital pa qenë e nevojshme. Për të shmangur  fluksin ata bëjnë apel që fillimisht ti drejtohen mjekut të familjes. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!