Lionel Messi dhe Luka Modriç pësuan disfata të rënda në ndeshjet e fundit të ligës spanjolle. Barcelona dhe Reali u mundën papritur, ndërsa rrezikojnë të mos jenë rivalët e vetëm për titull
Nuk kishte ndodhur, besohet, ndonjëherë, që fituesi i Çmimit të FIFA-s dhe ai që quhet lojtari më i mirë i botës, të turpërohen në të njëjtën mbrëmje.
Kjo, madje pak ditë pas ceremonisë së FIFA-s në Londër. Luka Modriç, fituesi i Çmimit, dhe Lionel Mesi, i besuar gjerësisht si numëri 1 i futbollit botëror, pësuan humbje tronditëse në La Liga edhe pse luajnë me dy skuadrat më të mira.
Më herët e pësoi Messi, kur Barcelona në mënyrë të pabesueshme u mposht në stadiumin e Leganjesit modest, që e nisi javën në vendin e fundit. Filip Coutinho kaloi Barçën përpara, por për 68 sekonda në pjesën e dytë, vendasit përmbysën shifrat.
Nabil El Zhar barazoi në 52’, ndërsa goli i dytë u realizua nga Oskar Rodrigez, i huazuar tek Leganjes nga Reali i Madridit. Ky ishte rezultati i dytë radhazi negativ për Barcelonën, diçka që ngre dyshime për aftësinë e skuadrës së trajnerit Valverde për ta mbrojtur titullin e fituar vjet.
Vetë madrilenët ndoshta do të kishin pasur nevojë për të huazuarin Oskar Rodrigez në Sevilje, ku Luka Modriç kaloi një nga mbrëmjet më të këqija të karrierës.
Rezultati përfundimtar ishte një katastrofë 0-3, ndërsa lojtari më i mirë i sezonit në botë nuk arriti të jepte të zakonshmen e tij, mori karton të verdhë për protesta, dhe përfundimisht u zëvendësua nga trajneri Lopetegui.
Reali humbi një mundësi të madhe, ndërsa tre golat e pësuar në 90 minuta ishin një paralajmërim. Andre Silva shënoi dy herë për Seviljen, ndërsa një herë e bëri Ben Jeder.
Barcelona e Reali mbeten në krye të La Ligës me nga 13 pikë, por tashmë Atletiko e Madridit është vetëm 2 pikë larg, pra ndoshta mund të jetë viti I duhur për të besuarit e trajnerit Diego Pablo Simeone./abcnews.al