Juventusi arriti sot fitoren e dytë radhazi në Serie A, duke mposhtur Genoan me shifrat 3-1. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri Andrea Pirlo, i cili nuk ishte tërësisht i kënaqur me ndeshjen e skuadrës së tij dhe i vendos notën 6 vetes për punën e deritanishme te “Zonja”.
“Kishim qëndrimin e duhur në fillim, gjithçka dukej e lehtë, më pas lejuam një shans në fund të pjesës së parë për shkak të përqendrimit. Kemi dalë në sulm për të marrë iniciativën, por shkuam shumë thellë dhe kundërshtari na rrezikoi, gjithashtu ne nuk krijuam rastet e duhura për të vrarë ndeshjen dhe të ishim më të relaksuar.
Irritimi i Ronaldos në fund të ndeshjes? Është normale që ai dëshiron të shënojë, veçanërisht kur ndeshja po komplikohej sepse është një kampion dhe dëshiron të lërë shenjën e tij. Genoa na bëri të ndryshojmë skemë gjatë ndeshjes.
Të gjithë trajnerët duhet të ndjehen sikur duhet ta provojnë veten e tyre çdo ditë, e lëre më mua, që jam në përvojën time të parë si trajner. Futbolli ka qenë ëndrra ime që kur isha fëmijë dhe do të vazhdoj të punoj shumë për tu përmirësuar.
Do t’i jepja vetes një gjashtë nga 10 për këtë sezon deri më tani. E di që duhet të bëj më shumë dhe kur nuk arrini rezultate të caktuara, trajneri është i pari që merr përgjegjësinë. Ideja ime e futbollit është të dominoj në lojë dhe të shtypim kundërshtarin.
Për një sërë arsyesh, ne nuk kemi qenë në gjendje ta zbatojmë plotësisht, por ekipi është i etur dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për të. Rinovimi i Dybala? Unë stërvis një skuadër kampionësh, Dybala është njëri prej tyre. Ai ka munguar shumë këtë sezon, por është kthyer tani dhe ne do të përpiqemi ta shfrytëzojmë në maksimum. Vendimet e tjera janë në ngarkim të klubit”, u shpreh Pirlo. /abcnews.al