Hetimet për Drejtorin e Hipotekës së Shkodrës, Zamir Leka, kanë nisur dy muaj më parë. Bëhet fjalë për 40 dosje pronash të hetuara nga prokuroria dhe që kanë dalë me abuzime. Leka është përgjuar në zyrë dhe në ambiente të ndryshme.
Zamir Lekës, drejtorit të hipotekës në Shkodër iu vendos përgjim ambiental në zyrë. Prej dy muajsh çdo bisedë e tij u rregjistrua, midis tyre ato që kishin të bënin me aferat.
Një burim i tha ABC News se hetimi nisi dy muaj më parë pasi prokuroria bazuar në ankesat e qytetarëve kishte marrë leje në gjykatë. Në vëzhgim dhe në përgjim u vendosën edhe të afërmit apo miqtë e tij. Të njëjta burime i treguan ABC News se në përgjim ka qënë dhe telefoni i tij i punës.
Sipas asaj ç’ka zbuloi hetimi, drejtori i Zyrës Vendore të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të cilit iu vendosën pranga në zyrë, përmes një skeme të ndërtuar nga ai vetë dhe në bashkëpunim me juristën e kësaj zyre Frida Mirashi, kanë kryer regjistrime të pasurive përmes procedurave të përshpejtuara, por edhe në bazë të veprimeve abuzive të pronave në këmbim të 5000 eurove.
Aktualisht sipas të dhënave bëhet fjalë për hetimin e rreth 40 dosjeve, të cilat kanë rezultuar me shkelje të procedurës ligjore. Nga ana tjetër nga prokuroria mësohet se Frida Mirashi ka kryer porosi për juristët e zonave të ndryshme pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër duke i lënë shënimin “me urdhër të shefit”.
Nga përgjimet rezulton se mes Zamir Lekës, tashmë i prangosur dhe Frida Mirashi ka pasur komunikim të vazhdueshëm në lidhje me çështjet për të cilat ata akuzohen. Ndërsa po kështu sipas të dhënave rezulton se edhe arrestimet e disa ditëve më parë të katër shtetasve ndër të cilët edhe juristit të Hipotekës Shkodër Mirjam Bletaj janë kryer në vazhden e hetimeve të kryera nga prokuroria.
Pritet të ketë edhe arrestime tjera të punonjësve të kësaj zyre të cilët dyshohet se janë përfshirë në afera korruptive. Ndaj Zamir Lekës, Gjykata ka firmosur masën e sigurisë arrest me burg, ndërsa ndaj juristes Frida Mirashi masën e sigurisë arrest shtëpie./abcnews.al