Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, presidenti turk Erdogan ka akuzuar OKB-në se ka dështuar në zgjidhjen e konflikteve botërore. Duke fajësuar 5 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, Erdogan ka shtuar më tej se, edhe vendosja arbitrare e sanksioneve ekonomike është e papranueshme.
Presidenti turk Recep Taip Erdogan ka deklaruar të martën në selinë e Kombeve të Bashkuara se organizata ka dështuar në zgjidhjen e konflikteve botërore, që kanë marrë mijëra jetë. Sipas Erdogan, veprimi me standarde të dyfishta ka çuar në krijimin e mosbesimit, në humbjen e sensit të drejtësisë dhe në dëshpërimin e mijëra personave. “Indiferenca ndaj vrasjes së fëmijëve i shërbeu terrorizmit në mbarë botën”, ka thënë Erdogan. Sipas tij, mungesa e veprimit në kohën e duhur ka bërë që zgjidhja e problemeve ndërkombëtare të bëhet më e vështirë. Erdogan i është referuar në veçanti çështjes së Palestinës, zgjidhja e të cilës me opsionin e dy shteteve është shumë larg. “Bota është më e madhe se vetëm 5 vende”, ka thënë Erdogan, duke iu referuar Këshillit të Sigurimit, një organ sipas tij jofunksional pasi vetëm një vend, përmes së drejtës së vetos mund të bllokojë gjithçka. Sa i takon Turqisë, presidenti ka nënvizuar se vendi i tij nuk mund të heshtë përballë përdorimit të sanksioneve të njëanshme si armë ekonomike, duke iu referuar masave të Uashingtonit ndaj Ankarasë. Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara duhet të respektojnë procesin e drejtësisë turke në lidhje me rastin e pastorit amerikan, Endriju Branson dhe të drejtën e vendit të tij për të blerë armatime nga Rusia. “Ne jemi në favor të zgjidhjes së kontesteve përmes dialogut në kushte të barabarta”, ka vijuar Erdogan. Kreu i shtetit turk u ka kujtuar të pranishëmve se sesioni i sivjetshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së përkon me 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, efektet e të cilës sipas tij ndihen edhe sot, kur ka kaluar një shekull. /abcnews.al