Një ditë pasi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu takoi drejtuesit e policisë në Shkodër duke u kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të vrasjes së Bardhok Planajt, hetuesit kanë sekuestruar më shumë së 30 kamera sigurie, për të cilat mendojnë se do t’i ndihmojë ata për të zbuluar autorët.
Kamerat janë sekuestruar në aksin rrugor nga rrethrrotullimi në Dobraç e deri tek rrethrrotullimi i “5 heronjve”, vend ky ku kanë kaluar autorët dhe u krye ekzekutimi.
Një sërë kamerash sigurie janë sekuestruar edhe në spitalin e këtij qarku, aty ku Planaj kishte të shtruar nënën e tij dhe kishte qëndruar disa minuta para se të ekzekutohej me breshëri plumbash.
Burime pranë grupit hetimor sqaruan për ABC se pjesa më e madhe e bizneseve i kanë vendosur kamerat e sigurisë në mënyrë që të kenë pamje vetëm tek dyert e tyre dhe jo nga rruga kryesore. Sipas hetuesve, kjo gjë është bërë për shkak të frikës që pronarët e bizneseve kanë nga grupet kriminale. Por ky veprim vështirëson edhe më shumë punën e hetuesve për të zbardhur ngjarjet.
Ndërsa disa kamera të vendosura përgjatë spitalit kanë fiksuar momentet se Planaj është ndjekur gjatë gjithë kohës nga një mjet ti pasat, që më pas rezultoi të ishte i njëjti me atë të përdorur nga atentatorët e që u dogj pas krimit.
Nga ana tjetër, edhe një nga dy celularët e viktimës që për hetuesit është provë kyçe nuk është mundur ende të çkodohet, pasi rezulton me mbrojtje të veçantë. /abcnews.al