Bashkia e Tiranës nis ndërtimin e korsisë së dedikuar për biçikleta në bulevardin “Zogu I”

schedule14:26 - 5 Nëntor, 2017

schedule 14:26 - 5 Nëntor, 2017

Ka nisur ndërtimi i korsive të dedikuar për biçikletat në bulevardin Zogu i Parë.
Fillimi i punimeve u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ky investim do të përfundojë brenda këtij viti.

Përdoruesit e biçikletave do të lëvizin lirshëm edhe në bulevardin Zogu i Parë.

Pas korsive të dedikuara në Rr. “Dritan Hoxha”, në Unazën e Vogël, Rr. e “Dibrës” dhe zonën e urbane të Unazës së Madhe, prej pak ditësh Bashkia e Tiranës ka nisur një tjetër investim të kësaj natyre, në këtë aks rrugor, i cili do të përfundojë brenda vitit njoftoi, kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Jam shumë entuziast që projekti ynë i korsive dedikuar biçikletave po merr një përmasë tjetër, pra po del përtej zonës së qendrës. Po bëjmë një lidhje me sheshin “Skënderbej” dhe me Bulevardin e Ri, për t’u siguruar që ishujt si sheshi i Bulevardit të Ri, sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri apo zona e Liqenit, fillimisht lidhen mes tyre për të krijuar një rrjet minimal të biçikletave”.

Në filmimet e shpërndara në media nga zyra e shtypit e bashkisë Tiranë kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se do të vijohet më pas me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke mundësuar krijimin e një aksi qendror të korsive për biçikleta që nis në Kodrat e Liqenit dhe përfundon në Bulevardin e Ri.

“Do të vazhdojmë edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u siguruar që i gjithë segmenti kryesor, duke filluar nga Parku i Liqenit, ku edhe aty po bëhen korsitë e biçikletave, deri në fund të Bulevardit të Ri, të konturohet me korsi të dedikuara. Pastaj, shtigjet e biçikletave në zonat e tjera të qytetit do t’i markojmë me sinjalistikë vertikale mbrojtëse, që edhe për ata shoferë të papërgjegjshëm që hynë në korsitë e biçikletave apo bezdisin ata që përdorin biçikleta, të kemi një garanci sigurie”,

Kryebashkiaku shtoi se ambicia e Bashkisë së Tiranës është që të krijojë një rrjet sa më të madh të korsive të dedikuara për biçikletat, ku vetëm në fazën e parë parashikohen të ndërtohen 10 kilometra të tilla.

“Ambicja jonë është të përfundojmë fazën e parë me 10 km të biçikletave, kemi filluar te rruga “Dritan Hoxha”, po vazhdojmë te “Rruga e Dibrës” dhe tani gjithë ishujt pedonalë po lidhen me njëri-tjetrin”.

Pas shtimit të këtij rrjeti të korsive të dedikuara, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk pranon justifikime nga askush për mospërdorimin e biçikletave.

“Sot jemi në nëntor, jemi të bekuar me diell dhe me mot të mirë. Pavarësisht ndryshimeve klimaterike, Shqipëria prapë i ka 300 ditë me diell. Unë e di që për shumë njerëz makina ka qenë një status për të treguar që kemi dalë nga varfëria pas komunizmit, por nuk më rezulton që holandezët janë të varfër që rrinë tërë ditën në biçikleta, janë madje shumë të pasur, një nga vendet më të pasura. Në një qytet me kaq shumë diell, me distanca të vogla dhe me terren të sheshtë, një pjesë të madhe të udhëtimeve mund t’i bëjmë me biçikleta”, tha Veliaj.

Korsia e biçikletave do të kalojë në trotuarin e mesit në bulevardin “Zogu i Parë” dhe ajo do të fillojë në anë të Hotel Tirana International dhe Muzeut Historik Kombëtar dhe do të përfundojë në Unazë në zonën e ish-Stacionit të Trenit./abcnews.al

 

https://youtu.be/1UOapIdm6ME

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!