Pas propozimit për Vettingun e politikanëve, të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në formën e amendamenteve kushtetuese, demokratët prezantuan shtyllën e dytë të platformës së opozitës së bashkuar.
“Marrëdhënia midis krimit dhe politikës nuk është mjaftuar me shkatërrimin e demokracisë, me kapjen dhe prishjen e zgjedhjeve, me kapjen e drejtësisë dhe shkatërrimin e reformës në drejtësi, por ka avancuar si një kancër në një fushë tjetër në ekonominë shqiptare”, tha Basha.
Alternativa e opozitës për këtë? Amendimi i ligjit antimafia me qëllim hetimin, verifikimin dhe në rast evidentimi të abuzimit edhe sekuestrim të pasurisë; kjo me fuqi prapavepruese.
“Jo vetëm për sot, nesër, por dhe dje. Do t’i nënshtrohen këtij filtri nga zyrtari më i thjeshtë deri tek kryeminsitri”, tha Alibeaj.
Ky proces, që do të nisë me verifikimin e çdo kontrate apo akti publik të dyshimtë si përfitues nga buxheti i shtetit apo pasuritë e paluajtshme në pronësi të tij, mund të çojë në konfiskim të pasurisë, jo ndjekje penale të subjektit dhe është ky i fundit ai që ka barrën e provës, ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët në rastin e vettingut, shpjegon Alibeaj.
“Mekanizmi antimafia është tërësisht i ndarë nga procesi penal. Verifikimi do të bëhet nga një drejtori antikorrupsion për të cilin kemi marrë modelin britanik. Efekti i parë, i merren paratëe përfituara në mënyrë klienteliste dhe korruptive i merren dhe i kthehen qytetarëve dhe bashkë me të edhe pasuria”, u shpreh Alibeaj.
Ligji është i detajuar dhe përcakton kompetencat specifike të gjithë këtij procesi, sipas demokratëve dhe ka për synim zhbërjen e faturës abuzive që për selinë blu arrin shifrën e 2.18 miliardë eurove./abcnews.al