Ndreu: Arbitri e gjykoi mirë ndeshjen. Gafa e Hidit? Nuk i kam thënë asnjë fjalë

schedule15:13 - 4 Prill, 2021

schedule 15:13 - 4 Prill, 2021

Bylisi dhe Kastrioti u ndalën sot në barazim 1-1 në “Adush Muça”. Pas ndeshjes për Supersport foli trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu, që sot nuk u ankua për arbitrimin.

“Ishte një ndeshje e vështirë. Skuadra e Bylisit në ndeshjet e fundit ka marrë pikë maksimale dhe na futi në presion. Besoj që ia arritëm qëllimit të merrnim atë që donim. Si erdhi loja, për mbrojtjen e kisha specifikuar, në situata të vështira, duhej larguar topi jo të kthehet te portieri dhe të rrezikojmë. Megjithatë Hidi është një portier i madh dhe gabimet janë njerëzore. Nëse do të ishim më të kujdesshëm mund të kishim bërë më mirë.

Rezi është një lojtar, që në situatat e ngushta, driblon dhe bën mirë, por nuk bën si De Silva, i cili në situatat e hapura bën shumë mirë dhe fiton edhe topat në ajër. Shpresoj që të rikuperohet sa më shpejt, pasi është shumë i rëndësishëm për ne, në shumicën e ndeshjeve ka qenë titullar.

Në ndeshjen me Vllazninë ishte një ndeshje shumë e mirë, por e pësuam nga një gabim në fund. Nga ajo lojë më pëlqeu skuadra dhe mund të bënim më mirë. Nuk kam asnjë skuadër frikë, kam frikë vetëm skuadrën time.

Sot kishim një mungesë shumë të rëndësishme si Shkalla. Futa Zhivanajn aty, bëri mirë, por ai është një pozicion shumë i rëndësishëm, edhe për dy mbrojtësit. Gjithsesi ne kërkuam që të ishim sa më shumë solid në mbrojtje dhe të përfitonim nga shpejtësia e lojtarëve tanë, për të shënuar më pas. Nëse topi nuk dërgohet në anësore, atëherë aksioni vonohet. Do shumë nivel të përballohet pozicioni i Shkallës. Në pjesën e dytë kishim një moment delikat.

Sot ka qenë një arbitrim shumë i mirë. Bajramaj na mbajti shumë mirë edhe në ndeshje me Kukësin. Edhe kur i flet nuk të shikon në sy. Gafa e Hidit? Nëse do të ishte një çun i ri do i flisja shumë. Ky është një gol i falur, por nuk i kam thënë asnjë fjalë, pasi ka bërë një kampionat shumë të mirë”, u shpreh Ndreu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!