Të paktën 50 ushtarë dhe pesë paramilitarë rusë të Africa Corps u vranë të enjten gjatë një sulmi të madh xhihadist kundër kampit ushtarak të Dioura, në qendër të Malit, sipas burimeve të sigurisë dhe lokale të kontaktuara të hënën nga AFP.
Ky sulm, i marrë përsipër po të enjten nga Grupi i Mbështetjes për Islamin dhe Myslimanët (JNIM), i lidhur me Al-Qaida, është një nga më vdekjeprurësit që ka pësuar ushtria e Malit që nga fillimi i konfliktit që ka shkatërruar vendin e Afrikës Perëndimore prej rreth pesëmbëdhjetë vitesh.
Disa burime të kontaktuara nga AFP flasin për një bilanc edhe më të rëndë, mes 60 dhe 80 ushtarësh të vrarë. Dhjetëra të tjerë janë marrë peng, sipas këtyre burimeve.
“Bilanci është i lartë. Pa folur për të plagosurit, mund të them se kemi humbur mbi 50 nga elementët tanë, përfshirë pesë nga Africa Corps”, deklaroi për AFP një oficer i pranishëm në operacion.
Një burim tjetër i sigurisë në Mopti (qendër) raportoi për “më shumë se 60 ushtarë të vrarë në sulm, si dhe rreth gjashtëdhjetë të tjerë të marrë peng”.
Një zyrtar lokal i kontaktuar nga AFP përmendi “të paktën 80 ushtarë të vrarë dhe shumë të marrë peng”. “Xhihadistët sulmuan kampin e Dioura dhe u kthyen të nesërmen. Ushtria nuk dërgoi përforcime në vend”, shtoi ai.
Që nga viti 2012, Mali përballet me një krizë të thellë sigurie, e ushqyer nga dhuna e grupeve xhihadiste, aleatët e tyre separatistë tuareg të Frontit për Çlirimin e Azawad (FLA) dhe grupe kriminale komunitare.
Vendi sahelian, i drejtuar nga një juntë, është afruar me Rusinë, paramilitarët e së cilës nga Africa Corps e ndihmojnë në luftën kundër xhihadistëve.
Situata e sigurisë është bërë edhe më kritike që nga fundi i prillit 2026. Xhihadistët e JNIM, aleatë me rebelët e FLA, nisën një seri sulmesh të koordinuara kundër pozicioneve strategjike të juntës dhe ushtrisë në disa qytete, përfshirë edhe rrethinat e Bamako-s, kryeqyteti. Këto sulme i kushtuan jetën ministrit të Mbrojtjes.
Në një komunikatë të publikuar të dielën për situatën në Dioura, ushtria e Malit njoftoi për “operacione ajrore dhe tokësore kundër sulmuesve të Dioura”, duke raportuar për “neutralizimin”, në jugperëndim të qytetit, të “disa elementëve terroristë me motoçikleta që përpiqeshin të fshiheshin”.
Banorët përshkruan një situatë të paqartë pas luftimeve të dhunshme. “Kampi kishte mbetur bosh pas sulmit. Të shtunën, disa persona të armatosur u kthyen pa qëlluar asnjë plumb dhe u larguan disa orë më vonë”, raportoi një banor në kushte anonimiteti.
“Të dielën, helikopterët e ushtrisë patrullonin zonën dhe kryen disa bombardime në periferi të qytetit. Dhjetëra ushtarë kanë humbur jetën, kjo është e sigurt”, tha një përfaqësues lokal i shoqërisë civile.
Dioura është goditur disa herë vitet e fundit nga xhihadistët dhe rebelët e FLA. Në maj 2025, JNIM kishte marrë përsipër vrasjen e rreth 40 ushtarëve.
Më 18 korrik të kaluar, të paktën 50 ushtarë të tjerë u vranë në Mali. Koalicioni i separatistëve tuareg dhe xhihadistëve kishte ngritur një pritë kundër një autokolone ushtarake që po largohej nga qyteti strategjik Anéfis, në veri të vendit, për t’u drejtuar drejt Gao-s.

