Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj në vitin e fundit është kthyer në një nga personazhet kryesore në luftën kundër COVID-19. Por jeta vazhdon përtej luftës me koronavirusin dhe doktori ka rrëfyer në një postim në Facebook një histori interesante me ish-arbitrin e futbollit Faik Bajrami, i cili në 1971 ka gjykuar Holandën e Johan Cruyff, ndërsa tregon edhe episodin me flamurin shqiptar.
“Histori reale për tu vlerësuar! Jeta vazhdon, Covidi do të mundet pa tjetër, por gjestet e bukura duhen kujtuar!Sot larg Covidit! Një ditë të zakonshme pune më mbërrin një mesazh në telefonin tim. Dr. Brataj doja të flisja me ju, jam presidentja e një shoqate për fëmijë me probleme mjeksore. Po zonjë i thash mund të vini duke i lenë ditën dhe orën për tu paraqitur. U takuam në zyrën time, duke folur me presidenten e shoqatës. Shikoja në qetësinë e kësaj gruaje vite experience, pjekurie dhe ndoshta vuajtje shpirtërore, dëshire për të ndihmuar të tjerët, dëshirë për tu mbështetur te institucionet për këta fëmij.
Kuptohet që midis bisedave të punës dhe problemeve, te njerzit e përkushtuar të bën përshtypje këmbëngulja dhe për të ditur më shumë u bëra kureshtar dhe e pyeta se nga ishte. Nga Vlora doktor ashtu si ju më tha. Fjala sjell fjalën dhe biseda e solli nga çfarë fisi ishte dhe dolëm te babai! Normal një shoku im I fëminisë thotë se ne vlonjatët po nuk na tregove të gjitha, nga je, i kujt je e të tjera, marim lejen e zakonshme deri sa ta gjejmë!(pak humor). Mora vesh se babai ishte ish arbitri i futbollit zoti Faik Bajrami. Dëgjova një histori të bukur që ndoshta disa e njohin, por unë jo, nuk e kisha dëgjuar. I kërkova zonjës se a mundesha ta takoja personalisht babain e saj kur të shkoja në Vlorë. Shkova një ëeekend në Vlorë dhe dëgjova historinë e bukur që vajza më tregoi, por këtë herë nga vetë autori.
Sigurisht që mikpritja vlonjate nuk ka ndryshuar për fatin e mirë. Por surpriza e parë ishte e imja, sepse Faikun e kisha fansin tim për këshillat mbi Covid-19. Kjo është historia e bukur dhe reale që doja të ndaja me të gjithë ju nëpërmjet këtij statusi. Ato virtyte të bukura, pjesë e moralit dhe krenarisë shqipëtare, ato virtyte që duhen ushqyer që në fëmijëri, atë që prindërit na mësonin. Të duash vendin tënd, të ndihesh pjesë e tij, të jesh krenar për origjinën, të duash vendlindjen, të duash krahinën të duash atdheun! Në karrierën e tij të gjatë si futbollist dhe si arbitër pati një karrierë të shkëlqyer.
Ai ka gjykuar 13 ndeshje ndërkombëtare për Kupat e Europës dhe eliminatore të Europianëve dhe Botërorë, ku në nëntë ndeshje ka qenë gjyqtar kryesor. Por, me shumë nostalgji Faik Bajrami veçon ndeshjen e gjykuar nga ana e tij më 21 shkurt 1971, Holandë-Luksemburg të zhvilluar në stadiumin e Roterdamit, ku Holanda e Krujfit fitoi 6-0). Kënaqësia dhe krenaria e të ndjerit brenda shpirtit shqipëtar, emocioni që ti duhet të mbrosh vendin tënd, ta çosh emrin e tij në piedestalin e merituar, të tregosh ngjyrat e flamurit kuq e zi atje në Rterdam për Faikun mbetet emocioni dhe episodi më i bukur i jetës së tij.
Një ditë përpara zhvillimit të ndeshjes, treshja e gjyqtarëve shqiptarë Bajrami-Kalaci-Seferaj vizitonin stadium kudo zhvillohej ndeshja. Si rregull në stadium duhet të jetë edhe flamuri i vendit të gjyqtarit. Flamuri kuq e zi mungonte! Faik Bajrami iu kërkon organizatorëve praninë e tij se ndryshe nuk do gjykonin ndeshjen. Holandezët të gjendur para një fakti të pa parashikuar ju desh kohë që të siguronin fotografi të flamurit jo cilësore.
Por ishte Faiku që i orientoi derisa ata e dizenjuan atë siç duhej. Krenaria e treshes gjykuese shqipëtare me hyrjen në stadium panë flamurin kuq e zi të vendosur në vendin e duhur, në podin e caktuar. Midis emocioneve dhe kënaqësisë për vendosjen e flamurit shqipëtar ata përjetuan edhe emocionet e detyrës së tyre, gjykimin e një ndeshje të tillë. Një gjest i vogël me krenari të madhe. Një dashuri dhe patriotizëm i thjeshtë me domethënie të madhe. Mjeshtër, qytetar Nderi i Qarkut Vlorë zoti Fai Bajrami, ti na kujton detyrën ndaj këtij vendi të vogël me njerëz të mëdhenj! Faleminderit për kontributin, faleminderit për mësimin që na dhe , faleminderit për patriotizmin që tregove, faleminderit që më lejove të bëhem pjesë e këtij tregimi real” shkruan Skender Brataj./ db/ Abcnews.al