“Stop Heci-it dhe fabrikës”, “burimet e ujit janë tonat”, “banorët e Thirrës Mirditë rrezik jetësor”, këto janë disa arsye që kanë nxjerrë në protestë banorët e fshatrave Thirrë dhe Sang të Njësinë Administrative të Fanit, të cilët pretendojnë se ndërtimi i një HEC-i nga kompania “Sang1” do ti lerë ata pa ujë.
Ndërsa akuzojnë dhe për falsifikim të firmave.
“Nuk kam firmosur”, shprehet një protestues.
Po ashtu një tjetër protestues thotë se janë falsifikuar edhe firmat:“Për përroin e Qarrit janë falsifikuar firmat”, tregon ai.
“Është mbledhur një grup celule dhe kanë bërë një mbledhje. Rastësisht më treguan një letër pashë ku ishte edhe firma ime,- i thashë jo kjo s’është firma ime. Aty ka firmosur dikush tjetër”, tregon një tjetër qytetar.
Këto dy fshatra sipas banorëve në 30 vjet vetëm kanë degraduar e vetmja që gjë i mban është uji.
“Kemi ndenjur prej malit, stanit dhe tokës. Tani të na marrin ujin, mbetet vetëm të na marrin shpirtin”, shprehet një qytetare.
“Ne kemi 30 vjet që po shkatërrohemi. Ne jemi prej 500 vjet këtu. Na shkatërruan shkolla, spitale tani dhe ujin duan ta marrin”, thotë një tjetër banore.
Banorët pak kohë më parë kanë dërguar një peticion për anulimin e këtij projekti në të gjitha institucionet qendrore dhe vendore po nuk kanë marrë zgjidhje. Ndaj thonë se do ti drejtohen SPAK.
“Do t’i drejtohemi SPAK, nëse duan drejtësi për këtë vend të fillojnë nga këtu, për 2000 banorët e fshatit Thirrë”, shprehet qytetari.
Banorët kërcënojnë me përshkallëzim të protestave deri në bllokim të Rrugës së Kombit.
/abcnews.al/