Masat ndaj prokurorëve, socialistët mbështesin kryeprokuroren Marku

schedule14:56 - 21 Shtator, 2018

schedule 14:56 - 21 Shtator, 2018

Të drejta i kanë vlerësuar socialistët masat e kryeprokurores Arta Marku ndaj prokurorëve që nuk morën pjesë në shortin për dosjen “Shullazi”. Deklarata u bë nga deputetja Ermonela Felaj, njëherësh kryetare e Nënkomisionit për Vettingun në polici.

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ka marrë mbështetjen e mazhorancës edhe në vendimin e saj më të fundit, masat e ndërmarra për 10 prokurorët që refuzuan shortin për dosjen e Shullazit.

Deputetja e PS-së që është njëherazi kryetare e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj, tha se organi i akuzës është institucion kushtetues dhe si i tillë është sovran për vendimet e veta.

“Në fakt ka më shumë gjëra që nuk i ndajmë me opozitën se sa i ndajmë. Ua thashë dhe njëherë prokuroria është një organ i pavarur dhe çdo ndërhyrje nga ana jonë do të ishte në shkelje të detyrimeve tona kushtetuese. Është organ që i vendos vetë ecurinë e punës brenda tij. Unë shoh që është marrë një masë dhe ka pasur një përgjigje për situatën që është bërë prezent në lidhje me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe më duket masa më e natyrshme dhe më e ligjshme që është marrë”, tha ajo.

Sa për akuzat e opozitës ndaj kryeprokurores Marku, socialistja Felaj i përgjigjet shkurt.

“Opozita ka qenë pjesëmarrëse në mbledhjen e zhvilluar në në komisionin parlamentar të ligjeve, besoj se i ka drejtuar të gjitha pyetjet dhe shqetësimet e veta”, tha Felaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!