Administrata amerikane mbështet Kosovën dhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndryshuar dhe mbetet vend mik. Deklarata u bë nga ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, u shpreh se qëndrimi amerikan për Kosovën nuk ka ndryshuar dhe ajo mbetet vend mik i Shteteve të Bashkuara.
E pyetur nga gazetarët për qëndrimin amerikan në dritën e deklarimit të mëhershëm të këshilltarit për siguri kombëtare John Bolton që nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë “rregullimin territorial”, ajo tha se nuk mendonte se qëndrimi i administratës amerikane kishte ndryshuar. Haley theksoi se mund të ketë zëra individualë në administratë që flasin, por kur flitet si administratë, do të flitet me një zë të vetëm.
Në Kosovë, presidenti Thaçi përballet me kundërshtimin e një pjesë të partive në pushtet dhe partitë opozitare përsa i përket idesë së tij për korrigjim kufijsh me Serbinë. Lëvizja Vetëvendosje madje ka paralajmëruar protesta.
Mediat kosovare raportojnë se presidenti Thaçi, përballë pamundësisë për të siguruar mbështetje për një marrëveshje të mundshme i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, që flet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ky nen i Kushtetutës thotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare ndër të tjera dhe për çështje si territori, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake.
Në këtë mënyrë sipas mediave, Thaçi synon të shmangë miratimin e parlamentit për të negociouar në Bruksel me Serbinë dhe për korrigjimin e kufijve./abcnews.al

