Tifozat Kuq e Zi shpalosën në stadiumin “Air Albania” një koreografi në ndeshjen me Anglinë. Që para ndeshjes vetë TKZ zbuloi gjithçka dhe dalloheshin qartë imazhet e Pirros së Epirit, Aleksandrit të Madh, Ded Gjo Lulit, Skënderbeut dhe Adem Jasharit.
Imazhi i këtij të fundit u pa vetëm para ndeshjes, pasi njëra pjesë e koreografisë ishte palosur. Adem Jashari nuk mund të shfaqej dhe arsyetimi ka qenë se nuk lejohet nga UEFA. TKZ nuk është pajtuar me diçka të tillë dhe sot ka dalë me një komunikatë dhe akuzon:
“Përpara zhvillimit të ndeshjes së djeshme Shqipëri vs Angli vendosëm të përgatisnim një koreografi me anë të së cilës jo vetëm që donim t’ju jepnim zemër çunave, por edhe të përfaqësonim të gjithë ata shqiptarë që do të donin të ishin në krah të Kombëtares në një kohë kur prezenca fizike nuk ju lejohet.
Me anë të mesazhit “Me sytë dhe zemrën te ju” u treguam djemve se ishim me ta si në çdo ndeshje tjetër. Po ashtu, bashkë me këtë mesazh zgjodhëm të “ulnim” në shkallët e stadiumit pesë heronj të historisë tonë.
Por pasi kjo koreografi u shpalos në stadium dhe ne na larguan për arsye sigurie, UEFA kishte nisur inspektimin e koreografisë. Pas kësaj morëm vesh nga ekranet që ata kishin vendosur të hiqnin nga pjesa e koreografisë fotografinë e Bacës Adem, duke e lënë të paplotë koreografinë tonë.
Edhe pse ne nuk ishim në shkallët e stadiumit, ajo që ndodhi ditën e djeshme me fshehjen e Bacës Adem ishte një ngjarje e shëmtuar. Nuk e dimë ende se cili është arsyetimi apo konkluzioni që UEFA na ndalon ti shpalosim heronjtë tanë kombëtar.
Luftrat kanë mbaruar dhe ne jemi për paqe, por mesa duket lobimi serb ka punuar aq fort në UEFA sa për ta larguar tmerrin e tyre, Adem Jasharin nga stadiumi. Ai është ende gjallë dhe mes nesh, kështu që do e keni sërish në çdo ndeshje e stadium, doni apo s’doni ju”. /abcnews.al