Haradinaj: Kufijtë ndryshojnë vetëm me luftë

schedule22:40 - 19 Shtator, 2018

schedule 22:40 - 19 Shtator, 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha mbrëmjen e së mërkurës në Tv Klan se është edhe do të mbetet kundër çdo marrëveshje me Serbinë që do të vinte nëpërmjet ndryshimit të kufijve.

Personalisht për vete jam kundër. Do mbetem kundër çdo herë”, tha Haradinaj në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”.

Kryeministri i Kosovës tha se kishte vetëm dijeni periferike për këtë çështje dhe se besonte që deklaratat e Thaçit për përfshirjen e Preshevës në hartën e Kosovës ishte një taktikë e tij përballë retorikës së Beogradit.

Blendi Fevziu: Çfarë dijenie keni ju për këtë marrëveshje dhe sa i involvuar jeni ju brenda kësaj?

Ramush Haradinaj: Dijeninë e kam periferike, nuk kam dijeni direkt, por periferike. Informata të mbledhura aty këtu.

Blendi Fevziu: Nga mediat dhe takimet?

Ramush Haradinaj: Nga ndonjë diplomat, nga ndonjë zyrtar, asnjë herë nuk kam marrë në tavolinë ndonjë plan, ose ide të tillë.

Blendi Fevziu: A ka folur Presidenti i Kosovës me ju si Kryeministër për këtë çështje?

Ramush Haradinaj: E kam hapur dy herë me të, nuk e ka trajtuar si temë ashtu siç njihet në opinion, por ka prezantuar si një debat taktik politik, si një kundërpërgjigje ndaj retorikës që vjen nga Beogradi e pretendimeve të tyre.

Blendi Fevziu: Që do të thotë se ju po bëni një lojë me Beogradin, po luani kush e mashtron njëri-tjetrin, apo jeni në një marrëveshje serioze?

Ramush Haradinaj: E kam vështirë të besoj se Thaçi e ka trajtuar këtë në mënyrë serioze, ka mujt me qenë një debat publik taktik më së shumti. E kam vështirë, pra nuk e konsideroj projekt serioz.

Haradinaj tha se vendosja në pikëpyetje e arritjeve të deritanishme të Kosovës në kufijtë e saj do të ishte e papranueshme dhe se kufijtë ndryshojnë me luftë.

Hapja e kufijve, hapja e një marrëveshjeje të tillë, vetëm diskutimi është rrezik për stabilitetin e rajonit. Këto kufij të Kosovës çizmja i ka vendos, nuk janë vendosur në tryeza e me bisedime. Vetëm çizmja, ku i ka lënë çizmja ushtarake aty janë. Këto kufij, po u lëvizën, kërkohen prapë shumë cizme të ushtarëve në të dy anët”, tha Haradinaj. /tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!