Këngëtarja shqiptare me famë botërorë Rita Ora, ka ndarë një lajm shumë të veçantë me fansat e saj. Pas një kohe të gjatë pritjeje, artistja më në fund ka deklaruar se albumi i saj i radhës synohet të dalë në treg më 23 nëntor të këtij viti.
Ora këtë vit ka qenë mjaft aktive me projektet e saj të reja në muzikë. Fillimisht ajo u bë pjesë e kolonës zanore të filmit të shumëpërfolur “Fifty Shades Freed”, me këngën “For You” në bashkëpunim me ish-anëtarin e bandës së One Direction, Liam Payne. Ndërsa këtë verë ajo bëri publike edhe videoklipin “Girls” ku morën pjesë këngëtaret më në zë të momentit si Cardi B, Charli XCX dhe shqiptarja Bebe Rexha. Kënga në fjalë shkaktoi shumë polemika, pas deklaratës së Rita Orës për prirjet e saj biseksuale dhe imazheve sensuale dhe provokative të përfshira në video.
Gjithashtu, këngëtarja realizoi edhe një tur koncertesh mjaft të suksesshëm në Europë. Megjithatë, në prurjet e albumeve artistja ka qenë pasive duke lançuar vetëm një të tillë në vitin 2012. Për shkak të problemeve me shtëpinë e saj diskografike dhe marrëdhënies së dështuar më DJ-n Calvin Harris, ajo nuk ka mundur të publikojë një tillë deri më tani. Por me sa duket pritjes i ka ardhur fundi. Në profilin e saj në Instagram, ajo është shprehur e emocionuar për këtë projekt të ri, i cili më në fund do të na bëjë të mundur pasjen në duar të një albumi të ri nga Rita Ora. Projekti në fjalë quhet “Phoenix” dhe na mbetet të presim deri më datë 23 nëntor./abcnews.al