“Trump po cënon sistemin amerikan të sigurisë”

schedule09:42 - 19 Shtator, 2018

schedule 09:42 - 19 Shtator, 2018

Ish-nëndrejtori i FBI-së ka akuzuar Donald Trump se po cënon sistemin amerikan të sigurisë, duke vënë në rrezik vendin. Akuzat ish-zyrtari i lartë i ka bërë në një libër që fshikullon politikat e presidentit për sigurinë e që del në dhjetor.

Ish-nëndrejtori i FBI-së, Andriu Mek Kejb ka paralajmëruar se presidenti Donald Trump po minon sistemin amerikan të sigurisë. Mek Kejb ka shkruar një libër mbi përpjekjet e FBI-së për të ruajtur sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Ai ka një eksperiencë 22-vjeçare në radhët e agjencisë federale dhe ka luajtur një rol kyç në hetimet mbi sulmet e 11 shtatorit dhe në ato mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Libri me titull “Kërcënimi! Si FBI mbron Amerikën në epokën e terrorit dhe Trump” do të dalë në shitje më 4 dhjetor. “E shkrova këtë libër sepse sulmet e presidentit ndaj meje simbolizojnë efektet shkatërruese të qeverisjes së tij ndaj vendit”, ka deklaruar Mek Kejb, i cili ka hetuar edhe ish-sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton për përdorimin e email-it privat.

“Trump po minon sigurinë e Amerikës dhe po çrrënjos besimin e qytetarëve tek institucionet. Sulmet e tij ndaj institucioneve më të rëndësishme të qeverisë dhe personave më të kualifikuar duhet t’i bëjnë amerikanët të ngrihen në këmbë”, ka thënë ai.

Mek Kejb u shkarkua në mars, pasi kontrolli i brendshëm i Departamentit të Drejtësisë kishte zbuluar se ai u kishte kaluar informacione të rezervuara mediave dhe kishte keqinformuar hetuesit mbi veprimet e tij. Mek Kejb ka kundërshtuar çdo akuzë të ngritur ndaj tij duke deklaruar se gjithçka është një hakmarrje e administratës Trump për shkak të hetimeve mbi ndërhyrjen ruse./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!