Të dhënat e vaksinës ruse janë pozitive teorikisht, por ka pikëpyetje rreth saj që duhet të analizohen me paraqitjen e dokumentacionit. Kjo është analiza me pak fjalë e ekspertit virolog shqiptar në SHBA, drejtor i Zhvillimit të vaksinës GeoVax, Arban Domi.
Në një interviste me Juli Xhokaxhi, Domi tha se beson që nëse vaksina Sputnik V miratohet nga EMA, ajo mund të prodhohet nga vendet e BE-së. Pra do të kemi të bëjmë me një patentë ruse, por që prodhohet brenda unionit. Sipas tij, Komiteti Evropian nuk do të përdorë një vaksinë të prodhuar në Rusi.
Por, a nxitua qeveria me marrjen e këtyre vaksinave? Sipas ekspertit virolog, nuk ka rëndësi çfarë vaksine do të përdoret, elementi kryesor është certifikimi nga agjenci të besueshme si EMA dhe FDA.
“Unë do të prisja që EMA të përfundojë analizën. Në një artikull 10-12 faqe të kompanisë bëhet një analizë, dhe mund të shihet si e njëanshme sepse bëhet nga prodhuesi. Mund të ishte pritur.”
Megjithatë, Domi shtoi se vaksina ruse ka disa elementë që e bëjnë që të pranohet përdorimi i saj edhe pse nuk është aprovuar ende nga EMA. Platforma e saj, thotë eksperti shqiptar në SHBA, është e ngjashme me atë të vaksinës së AstraZeneca-s. Madje, teorikisht, vaksina ruse është me efektive se ajo e AstraZeneca-s.
Por çfarë besimi mund të kemi tek vaksina e Kinës, nga e cila kryeministri Edi Rama tha sot se kemi siguruar 1 milionë doza, në një kohë që transparenca rreth testeve të këtyre vaksinave është e pakët ose inekzistente?
Arban Domi thotë se në rastin e vaksinës ruse transparenca është e ulët, por në rastin e asaj kineze ajo nuk ekziston fare, dhe ky është një element shumë serioz.
“Çmimi i vaksinës kineze varijon nga 5 dollarë në 70 dollarë nga vendi në vend…Është e rëndësishme të dihet çmimi i vaksinës. Kontrata do të jetë e fshehtë, organet janë legjitime për ta ditur, e për ta krahasuar. Faza e tretë e testeve nuk është publikuar për vaksinën kineze dhe ky është një element shumë serioz ,mos publikimi i të dhënave…Nuk duhet të ndalen nga njëra-tjetra: siguria dhe efektet duhet të dihen.”
Çfarë pritet të ndodhë me koronavirusin në vijim, duke marrë parasysh variantet e reja që po zbulohen dita ditës?
Arban Domi shpjegon se virusi, në një farë pike do detyrohet të dobësojë vetveten për t’i mbijetuar imunitetit të krijuar nga kalimi i sëmundjes dhe prania e vaksinave.
“Virusi do të ndjekë një proces evolutiv, ka tendencë të jetë më infektues, pastaj pëson mutacione për t’i shpëtuar imunitetit nga vaksinat ose infektimi. Për mbijetesë do të dobësojë vetëveten e do të kthehet si viruse të tjera bashkëjetëojnë me ne dhe janë të kontrollueshëm.” sb/abcnews.al/