Bota mund t’i rikthehet normalitetit nga fundi i vitit 2022. Kështu është shprehur Bill Gates në një intervistë me gazetën polake Wyborcza, gjatë një interviste rreth impaktit të vaksinave të koronavirusit.
“Kjo është një tragjedi e pabesueshme,” tha bashkëthemeluesi i Microsoft duke iu referuar pandemisë ndërsa shtoi se i vetmi lajm i mirë në këtë mes është aksesi ndaj vaksinave.
“Nga fundi i vitit 2022 me shumë gjasa mund t’i jemi kthyer plotësisht normalitetit,” tha Gates.
Miliarderi Gates,i cili dha dorëheqjen si drejtues i Korporatës Microsoft në 2014, përmes fondacionit të tij filantropik Bill dhe Melinda Gates ka vënë në dispozicion të paktën 1.75 miliardë dollarë për përgjigjen globale ndaj pandemisë COVID-19. Kjo përfshin mbështetjen për disa prodhues të vaksinave, diagnostikime dhe trajtime të mundshme. sb/abcnews.al/