Nga Ermal Vija
Tre ditë pas ekzekutimit të Edmond Koçit në Durrës, grupi hetimor ka administruar përgjigjen e laboratorit të kriminalistikës për armën me të cilën dyshohet se u qëllua për vdekje 40-vjeçari.
Burime nga grupi hetimor konfirmojnë për ABC se përveç numrit serial të armës, nuk është gjetur asnjë gjurmë e vlefshme që mund të ndihmojnë hetuesit për identifikimin e autorëve.
Kjo për shkak se arma tip kallashnikov, që u gjet në makinën e djegur në Sukth pak minuta pas atentatit, ishte shkrumbuar totalisht.
Një tjetër provë në duart e hetuesve është edhe makina e përdorur në atentat, por deri më tani nuk i ka ndihmuar ata për zbardhjen e ngjarjes. Atentati mafioz ku mbeti i vrarë Edmond Koçi, që njihej edhe me emrin Mond Çekiçi ndodhi mëngjesin e së shtunës në lagjen 16 në Durrës. Ai u qëllua për vdekje nga dy persona që I bënë pritë në momentin që Çekiçi po udhëtonte bashkë me shoferin e tij.
Sipas hetimeve, ka dyshime se atentati mafioz ka ardhur për shkak të konflikteve të vjetra që ka pasur viktima me një tjetër grup rival në qytetin e Durrësit.
Koçi që njihet edhe me emrin Mond Çekiçi ishte shok i ngushtë me Edmir Bregun që u vra një muaj më parë në të njëjtin vend ku u ekzekutua 40-vjeçari. Hetuesit kanë dyshime se atentati mund të jetë realizuar nga të njëjtët persona për llogari të personave të tjerë. /abcnews.al