Shqipëria merr vaksina ruse, mbërrijnë në Rinas 10.000 doza “Sputnik V”

schedule13:07 - 22 Mars, 2021

schedule 13:07 - 22 Mars, 2021

TIRANË- Kanë mbërritur në Shqipëri 10.000 vaksina ruse “Sputnik V”. Vaksinat janë pritur në aeroportin e Rinasit nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministri Arben Ahmetaj, ndërsa mësohet se kjo sasi vaksinash është dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, miku i çmuar Muhammed Bin Zayed.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama me anë të një reagimi në rrjetet sociale shkruan se shumë shpejt do të ketë shuma të tjera të konsiderueshme vaksinash që do të mbërrijnë në vendin tonë.

“Së shpejti shuma të konsiderueshme vaksinash të tjera do të pasojnë, duke na krijuar mundësinë të rrisim fuqishëm numrat e vaksinimeve ditore, për të dalë së shpejti nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër” shkruan Rama.

Rreth një javë më parë qeveria shqiptare i ka dhëne dritën jeshile përdorimit të vaksinave ruse por edhe atyre kineze, duke publikuar në fletoren zyrtare akti normativ, i cili ndryshon procedurat për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid në Shqipëri për përdorimin e tyre në popullatë. Në ndryshimin e bërë në aktin e ri normativ, Shqipëria i hapet dera jo vetëm vaksinave të aprovuara nga agjencia amerikane dhe europiane e barnave, por edhe vaksinave të cilat kanë miratimin e autoriteteve në shtetin përkatës ku ato prodhohen këto vaksina anticovid.

Ndërkohë për vaksinat ruse dhe kineze, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, paralajmëroi në emisionin “Log.” në ABC të drejtuar nga Endri Xhafo shpreh se të gjitha rrugët po shqyrtohen duke mos pranuar që të japë më shumë informacion. E.L /abcnews.al/