Situata te Juventusi nuk është më e mira e mundshme. Humbja e papritur dje në shtëpi 0-1 ndaj Beneventos erdhi si një tërmet i vërtetë tek bardhezinjtë, të cilët tashmë e shikojnë Interin plot 10 pikë larg. Kjo ishte humbja e katërt sezonale dhe erdhi fill pas eliminimit nga Champions League, duke turbulluar akoma më shumë ujërat në klubin torinez.
Sipas raportimit të “La Stampa”, tensionet nuk kanë munguar pas ndeshjes në dhomat e zhveshjeve. Mësohet se ka patur një debat të fortë mes presidentit Agnelli dhe trajnerit Pirlo, të cilët nuk i kanë mbajtur dot nervat pas disfatës.
Tashmë trajneri italian do të jetë në provë në ndeshjet e mbetura dhe në rast se do të kemi një tjetër humbje si me Beneventon, atëherë vendi i tij do të jetë seriozisht në rrezik. Të njëjtin mendim kanë edhe tifozët e “Zonjës së Vjetër”, të cilët janë shumë të irrituar me Pirlon për rezultatet deri më tani. /abcnews.al