Premiera “Reigen”(Rrethi) shfaqet në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës

schedule16:58 - 15 Shtator, 2018

schedule 16:58 - 15 Shtator, 2018

Në teatrin “Migjeni” të Shkodrës është vënë në skenë premiera Reigen (Rrethi) e dramaturgut autstriak Arthur Shcnitzler. Vepra bazohet në gënjeshtrat dhe mashtrimet e jetës së përditshme. Sipas regjisorit Alois Galle kjo është një dramë, e cila do të mbetet aktuale edhe pas 100 vitesh.

Vepra “Reigen- Rrethi” nga Arthur Shcnitzler dhe me regji nga Aloise Galle u shfaq premirë në Teatrin ” Migjeni” të Shkodrës.

10 dialogët e shfaqjes, kanë qenë prej kohësh në mesin e kryeveprave të Letërsisë Botërore.

Në këto 10 skena, vendosen përballë njëri-tjetrit prostituta dhe ushtari, ushtari dhe shërbëtorja, shërbëtorja dhe zotëria i ri, zotëria i ri dhe gruaja e re, gruaja e re dhe bashkëshorti i saj. Asnjëri nuk është besnik ndaj tjetrit, ata flenë së bashku, por nuk ndjejnë dashuri.

Ata ndihen të vetmuar edhe kur nuk janë vetëm. Vetmia nuk është fati i tyre, por faji i tyre. Ajo bazohet në gënjeshtra dhe mashtrime, në lakmi.

Për regjisorin e shfaqjes Aloise Galle kjo është një pervojë e mirë.

“Pas çdo premiere të krijohet përshtypja sikur mund të punojë akoma më shumë. Kishte gjëra të tjera për të shtuar. Mund të bënim prova me muaj të tërë. Nuk mund ta them me siguri nëse është e përditshmja, por me siguri edhe pas 100 vitesh kjo mbetet diçka aktuale. Është mënyra sesi njerëzit gënjejnë, sesi njerëzit mendojnë”. 

Aktorja e shfaqjes Ina Gjonçi  thotë se ishte një eksperiencë krejt ndryshe.

Në role janë Krist Lleshi, Nikolin Ferketa, Sara Smaja, Simon Shkreli, Julinda Emiri, Pjerin Vlashi, Ina Gjonçi, Jozef Shiroka, Loredana Gjeçi, si dhe me pjesëmarrjen e Frederik Fistanit. Premiera erdhi nga një bashkëpunim mes Ambasadës së Austrisë në Tiranë, Bashkisë së Shkodrës dhe Teatrit ” Migjeni”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!