Në ditën Botërore të Pastrimit qindra vullnetarë dhe qytetarë në Tiranë i janë bashkuar aksionit. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, iu bashkua qyetarëve në Pezë nga ku u shpreh se kryeqyteti sot është shumë herë më i pastër.
Qindra vullnetarë dhe qytetarë në Tiranë, Ditën Botërorë të Pastrimit e nisën duke larguar mbetjet në njësitë e tyre administrative. Fokus kishin kryesisht zonat pranë shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, iu bashkua vullnetarëve në zonën e Pezës.
“Sot Tirana është shumë herë më e pastër, por e mira s’ka fund, mund të jetë edhe më pastër; nuk ka asnjë arsye që nëse është e pastër qendra, të mos jetë e pastër periferia dhe Peza, ku ne këtë fundjavë do të presim mijëra njerëz, të cilët nëse e gjejnë pastër, me gjasë edhe do ta lënë pastër, pasi të mbarojnë aktivitetet që përkujtojnë Festën e Pezës”.
Kryebashkiaku Veliaj përsëriti thirrjen për të mbajtur pastër qytetin.
“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, që teksa përgatitemi t’i çojmë fëmijët në shkollë të hënën, mësimi më i madh është mësimi që japim me shembull personal. Nëse prindërit pastrojnë vetë, mbajnë pastër vetë, nuk lënë plehrat në ashensor, nuk ndotin poshtë pallatit, sigurisht që fëmijët e kanë marrë leksionin e parë para se të shkojnë në shkollë. Kështu që, mësimet më të mira janë ato që japim me shembull personal. Bashkia e ka dhënë shembullin e saj personal, do vazhdojmë ta bëjmë përditë, por na duhet aleanca e një milionë qytetarëve”.
Sipas kryetarit të bashkisë, nismat sensibilizuese dhe edukuese mbi menazhimin e mbetjeve të ndërmarra nga bashkia kanë dhënë rezultate pozitive në mjedis.